Me datë 9 mars të vitit 2010, saktësisht 11 vite më parë, nga ne u nda fizikisht, Fahri Raçi.

Fahriu, lindi më 20 nëntor të vitit 1964 në fshatin Mirash.
Shkollën fillore e kreu po në fshatin Mirash, duke u dalluar si nxënës me sukses shembullor.
Shkollimin e mesëm e vazhdoi në qytetin e Ferizaj't, në shkollën e mesme ekonomike, që sot quhet “Faik Konica”. 

Studimet ai i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik gjatë viteve 1984-1988 - duke kryer në afat të gjitha provimet dhe duke dalë nga aty, si një ekonomist i ri me perspektivë para vetes. 

Vetëm 4 vite pasi që ai kishte dalur si i diplomuar nga shkolla e mesme ekonomike në Ferizaj, ai ishte kthyer aty, por tani si profesor i kësaj shkolle. Këtë pozitë e kishte mbajtur deri në vitin 1999.
Pas përfundimit të luftës, sikurse gjithçka tjetër edhe ekonomia e Kosovës ishte e rrënuar dhe për rimëkëmbjen e saj, duhej angazhim nga bijtë më të mirë të vendit dhe padyshim se Fahriu e kishte vendin aty, duke qenë ndër themeluesit e organit më të rëndësishme të shtetit, Administratës Tatimore të Kosovës(ATK).

Nga viti 2000, deri në vitin 2004, ai kreu me sukses detyrën si menaxher i ATK-së për regjionin e Gjilanit. Pas kësaj, ai kalon si menaxher i ATK-së në Prishtinën 1.
Me gjithë këto arritje, Fahriu nuk pushoi asnjëherë duke kërkuar dituri shumë e më shumë. Në qershor të vitit 2007, ai mori titullin si "Kontabilist i Qertifikuar", ndërsa në vitin 2008, ai u qertifikua edhe si "Auditor".

Për rreth 10 vite, Fahriu kreu me sukses të gjitha detyrat e përcaktuara nga këto pozita.
Paralelisht me arsimimin e tij, ai ishte poashtu një sportist i dalluar. Që në moshën 12 vjeçare, ai u dallua për talentin e tij në futboll, duke bërë që ai të ftohej në ekipin e lagjes. Në vitin pasues, ai u fut në ekipin përfaqësues të fshatit Mirash, në Ligën Lokale të Ferizaj't. 

Fshati Mirash, kishte një ekip të shkëlqyer dhe shumë të suksesshëm, ndërsa, Fahriu me talentin e tij, u bë sulmuesi kryesor dhe lojtari më i rëndësishëm i ekipit.

Në vitin 1993, Fahriu, u shpall "Sportisti i Vitit" për qytetin e Ferizaj't, pasi po atë vit, ai kishte fituar çmimin e golashënuesit më të mirë në ligë.

Fahriu, njihej për sjelljen dhe edukatën e jashtëzakonshme të tij kudo që ai shkonte. Ai, dinte si të kishte qasjen me një fëmijë dhe me një të moshuar. Thjeshtësia ishte "arma" më e fuqishme e tij.
Ai, ishte aq i gjallë e aktiv, sa që vetëm sëmundja e mallkuar mund ta merrte nga ne - por kjo sëmundje, nuk ka arritur ta marrë nga ai buzëqeshjen e tij - buzëqeshje e cila i bëri dhe vazhdon t'i bëjë rezistencë edhe vdekjes, sepse ai nuk mund të kujtohet ndryshe, përveç se i buzëqeshur dhe plotë dashuri.
(Biografi e shkurtër e autorizuar nga familja e të ndjerit)

Albion N. Raçi

Kommentare