LILË BEGRACA DHE HASIMJA
Siç theksuam edhe në
fillim, fshatit Begracë i doli zëri dhe u bë i njohur në mbarë ish Vilajetin e
Kosovës, në saje të fatit tragjik të Hasimes për të cilën populli thuri këngën
e njohur dhe shumë të përhapur ndër shqiptarë.
Rexhë Çirupa thotë, meqë i
kisha fqinj të parë, i kam njohur personalisht si Lilën, ashtu edhe Hasimen.
Për Lilën si njeri dhe kaçak, ai na foli edhe në fillim të bisedës. Mirëpo, kur
ra fjala për Hasimen, ai duke buzëqeshur e solli kokën dhe shtoi: “Lila e ka
pasë edhe një behane: i ka dashur shumë gratë e bukura… Ai i ka pasë gjithsej
13 gra, e Hasimja ka qenë e parafundit dhe njëra ndër më të bukurat, syzezë dhe
shtathedhur. Edhe gruaja e fundit e Lilës, e cila së bashku me Lilën dhe një
vajzë të vogël u shpërngul për Turqi, ka qenë po ashtu, e bukur (Lila me
asnjërën nga gratë e shumta nuk pati djemë). – Mos, ndoshta, edhe vetë gratë e
kanë lakmuar Lilën, pasi po thuani se ai ka qenë mashkull i hijshëm dhe njeri
zotni? – i ndërhymë në bisedë. – Si duket edhe ai do t’u ketë pëlqyer atyre,
sepse shumë kollaj martohej me secilën që ia vënte syrin – na e ktheu xha
Rexha. Mirëpo, nga ajo që dihet, nga kënga në fjalë dhe nga ajo që mësuam nga
bashkëbiseduesi ynë, mund të përfundojmë se Hasimja, e cila kurrë përpara nuk e
kishte parë as njohur Lilën, nuk u martua me të pse ky i pëlqeu. Kjo këtë e
bëri me qëllime të caktuara, në momentin kur iu vranë dy vëllezërit dhe pasi i
vdiq edhe nëna; kur mbeti krejtësisht e vetmuar, pasi që axhallarët, që jetonin
në Sllovijë të Lipjanit dhe as dajët në Mirash (ku u detyrua të jetojë edhe
Hasimja), nuk interesoheshin për tragjedinë e saj familjare dhe më në fund ku u
bind edhe vetë se kaçakut të njohur dhe vrasësit të vëllezërve të saj, Xhymë
Mirashit, mund t’i vinte ystë vetëm një person i kalibrit të tij, siç ishte
kaçaku Lilë Begraca. Dhe vërtetë, Lila me përvojën që kishte si kaçak dhe me
cilësitë fizike e mundësitë tjera me të cilat dispononte, ishte në gjendje që
t’i plotësonte më së miri dëshirat dhe kërkesat e Hasimes.
Ndërkaq, ai pasi vetë nuk
ishte i “përvëluar” si Hasimja, e cila e kishte parë vdekjen e dy vëllezërve me
sytë e vet, dhe si njeri i mençur dhe inteligjent nuk ishte i bindur se
hakmarrja ndaj një shqiptari tjetër paraqet ndonjë zgjidhje fatlume, prandaj përpiqej
që kësaj pune t’ia lidhte kryet ndryshe, pa gjakderdhje. Mirëpo, në sy të
popullit ai doli si mashtrues, i pabesë dhe jo i fjalës. Andaj, pas aksionit të
guximshëm, që e ndërmori vetë Hasimja duke e vrarë mixhën e Xhymës dhe pas
burgosjes dhe dënimit të saj me burgim të rëndë, Lilës më nuk i mbeti vend në
Begracë e as ndër burra. Për këtë arsye ai shumë lehtë e pranoi ofertën e
fshehtë të pushtetit që të shpërngulet në Turqi, prej nga më kurrë nuk u kthye.
Xha Rexha na tregoi, më tutje, se tragjedinë familjare dhe personale të Hasimes
e përjetoi rëndë tërë popullsia shqiptare e Kosovës, e sidomos begracasit, të
cilëve fqinji dhe bashkëvendësi i tyre “ua mori fytyrën”, duke e mashtruar një
grua të vetmuar dhe duke mos e mbajtur premtimin e dhënë:”Thuej Hasimes merrëm
mue/Krejt Mirashin n’dash me ta farue/”. Sepse rasti i Hasimës që ishte i dyti
pas atij të Shkodrës, kur motra për vëllezër sakrifikon rininë, ekzistencën dhe
jetën e vet, pati bërë jehonë të madhe në opinion.
Siç dihet gjatë vuajtjes së
dënimit në burgun e Nishit, Hasimes i ndodhi edhe një tragjedi tjetër. Ajo për
hir të ruajtjes së nderit, u detyrua të bëjë edhe një vrasje, duke mbytur me
kënatë (shtambë) një gardian të burgut, i cili kishte tentuar t’ia nëpërkëmbi
“erzin dhe namuzin”. Në vazhdim bashkëbiseduesi na tregoi se si disa herë krerë
me ndikim të kësaj ane, siç ishin Zeqë Vërbani (im atë – T.B.) dhe Hajdar
Demosha, e kishin vizituar Hasimen disa herë në burg dhe me anë të pushtetit të
atëhershëm ishin përpjekur që ta lirojnë nga vuajtja e mëtejshme e dënimit,
mirëpo nuk kishin pasur sukses, pasi që ajo kishte të bëjë me dy vrasje. Është
indikative, thotë Xha Rexha, se herën e fundit Hasimja këtyre u kishte thënë që
mos të përpiqen, sepse më as vetë nuk është e interesuar që të lirohet. Më vjen
keq, thotë bashkëbiseduesi ynë, që ende nuk u gjet dikush që ta zbulojë se si
përfundoi jeta e Hasimes: a e vuajti deri në fund dënimin, kur dhe ku vdiq dhe
ku i gjendet varri, pasi që për këtë ekzistojnë shumë thashethëme. Ç’është e
vërteta një studim të thukët për të dhe gjenezën e “Kengës së Hasimes” e ka
bërë akademiku ynë i mirënjohur, dr.Mark Krasniqi (Gjurmime albanologjike,
IV-1974/76), duke shënuar deri më tash variantën më të plotë të kësaj kënge.
Por mjerisht as ai nuk arriti që ta ndriçojë deri në fund jetën dhe fatin
tragjik të Hasimes trime. Dr. Kajtaz Rrecaj thotë se Haki Stërmilli ka lënë në
dorëshkrim një dramë që ka për motiv jetën dhe fatin e Hasimes. Me fjalë tjera
për prejardhjën dhe jetën e Hasimes deri në burgosjen dhe dënimin e saj ka
mjaft shënime, e më të plotat janë ato që i jep M.Krasniqi. Mirëpo, mungojnë
ato nga burgu dhe pas burgut, nëse ka arritur që të dalë gjallë. Pra, për
pjesën e dytë të jetës së saj sot e kësaj dite nuk kemi asnjë shënim të sigurt.
Është dëm i madh që nuk janë marrë deklaratat e atyre individëve, që kanë
vuajtur dënimin në të njejtën kohë në burgun e Nishit. Njëri nga ata që ka
mundur të jap shënime më të sakta, si duket, ka qenë edhe Hoxhë Visoka, alias
Shaqir Halili nga Ballovci i Podujevës, i cili ka qenë gjallë deri pas
çlirimit, e pasardhësit e të cilit edhe sot jetojnë në Ballovc dhe në
Prishtinë. Po themi se ky do të kishte qenë burimi më i sigurt, pasi thuhet se
ky ka qenë njeri inteligjent dhe i shkolluar, gjë që më së miri e vërtetojnë edhe
vargjet e këngës popullore:
“… Nis Hasimja me kuvenue.
- A ka shiptar qi din me
shkrue?
Hoxhë Visoka aty a qillue.
- Fol, bre motër, ça po
thue?
- Ti ni letër me ma shkrue,
Lilë Begracës me ja çue –
S’ish kanë burrë, as s’ish
kanë grue!
Nizet vjet gjygji m’i dha
mue…”
[Marrë nga “Trojet që nuk shuhen”, Tahir.Z.Berisha,
Prishtinë 1995, fq.206]
Kommentare
Kommentar veröffentlichen