Mirashi fshati me numrin më të madh të të infektuarve me Covid-19 në Ferizaj

Deri më tani në komunën e Ferizajt 98 persona kanë rezultuar pozitiv me koronavirus. Njëri ndër fshatrat me numrin më të madh të të infektuarve me virusin korona është fshati Mirash i Ferizajt. Aktualisht nga ky fshat janë 17 persona të cilët janë infektuar me Covid-19.

Përfaqësuesi i këtij fshati Taip Bytyqi, tha se të prekur nga ky virus janë tri familje të cilat kanë pasur kontakt me të infektuarin tashmë të ndjerë nga fshati Sazli, i cili punonte si shofer në kampin ushtarak “Bondsteel”.


Bytyqi tha se anëtarët e dy familjeve kanë pasur lidhje miqësore me ish-punëtorin e “Bondsteel”-it, ndërsa familja tjetër është infektuar nga anëtarja e tyre e cila punon në një market në Ferizaj, që kishte pasur kontakte me një të afërme të të ndjerit nga Sazlia.

“Këto raste janë në tri familje, janë të gjitha raste kontakti, personi i cili ka vdekur nga “Bondsteel”-i kanë punuar së bashku dhe kanë dalur dy familje dhe familja e tretë vajza e tyre ka punuar në një market te “Viva”, tha Bytyqi.

Bytyqi tha se gjendja shëndetësore e gjithë të prekurve ëstë stabile përveç një 80 vjeçari i cili është në gjendje më të rëndë.

“Gjendja e tyre është e mirë, por është një i moshuar ku mbrëmë kam kontaktu me djalin e tij ka treguar se gjendja e babit është e rëndë, nuk e di se ku është duke u trajtuar pasi më erdhi rëndë ta pyes”, tha Bytyqi.

Përfaqësuesi i fshatit Mirash tha se të gjitha këto familje janë në vetizolim dhe po sigurohen nga Policia.

(tv tema)

Kommentare