“Karabina e Gjyshit” e autorit Gazmend M. Bytyçi, është libri më i ri, i cili u promovua sot në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë. Ky libër trajton luftën e fundit të Kosovës nga një kënd letrar dhe artistik.
Libri “Karabina e Gjyshit” në përmbajtën dhe strukturën e tij, është i rëndësishëm për tematikën dhe mënyrën e trajtimit të të gjitha ngjarjeve, të cilat nga autori janë kapur e pasqyruar me mjeshtri me njohje dhe me përkushtim të lartë. Brenda tyre autori ka vënë në spikamë shpirtin dhe karakterin heroik, sa të popullit aq edhe të gjithë atyre që u bënë ushtarë të UÇK-së, ushtri kjo, e cila theu mitin se Serbia është e fortë dhe se kundër forcave të saj nuk mund të luftohet.
Përmes këtij romani autori pasqyron faktin se populli që ka ëndrra të forta për lirinë e vendit, që ka trimërinë e guximin për çështje të mëdha kombëtare e historike, që di ta kuptojë rëndësinë e çlirimit të atdheut nga pushtuesit e huaj, ushqehet nga vetëbesimi për ta luftuar çdo pushtues me aspiratë të pashmangshme për fitore.
Në promovim të këtij libri kanë marrë pjesë dashamirë të librit dhe miq të luftëtarit të lirisë, politologut dhe autorit Gazmend Bytyçi.
Njëri nga folësit në këtë promovim Faik Doda, ndër të tjera tha se ky roman krijon ura shpirtërore mes ushtarëve të UÇK-së dhe popullit. Ura, që sipas tij forcojnë vlerat e traditat tona kombëtare, ura që fuqizojnë mbresa e kujtime të pashlyeshme. “Është ky roman që me lëngun e gjallë të jetës e veprave heroike, të personazheve, veprave që bartin mesazhe ofrojnë vizione drejt arritjes së lirisë, aq shumë të kërkuar nga brezat e së kaluarës. Roman që shpalosë botën e madhe të luftëtarëve të UÇK-së, botë që kanë ditur ta dëshmojnë në raport me rrjedhën e jetës dhe dramat e popullit të shkaktuara nga pushtuesi serb”, është shprehur, mes tjerash Doda. Sipas tij subjekti i romanit “Karabina e Gjyshit” lidhet fort me heroizmin e lartë të ushtarëve të UÇK-së.
“Idealet dhe shembujt e heronjve për ta mbrojtur atdheun në historinë më të re të Kosovës, si një arritje sublime e madhështore, e dëshmojnë se lufta mes të shtypurve dhe shtypësve është luftë e shpallur, një luftë që nuk pranon asnjë kompromis përveç zjarrit të grykës së pushkës dhe të bashkimit kombëtar”, ka thënë Doda.
Ndërsa profesori Sali Bashota, pasi ka vlerësuar lart librin “Karabina e Gjyshit” e autorit Gazmend M. Bytyçi , ka thënë se shkrimtarët e rinj zakonisht librin e parë e shkruajnë për dashuri, ndërsa sipas tij, Gazmendi romanin e parë e ka shkruar për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për dashurinë ndaj popullit.
“Një roman të tillë, të cilin e ka shkruar Gazmendi besoj që ia ka qëlluar meqë atë pjesën e kujtimeve që lidhet me luftën, jetën në luftë dhe luftën e jetës, ka arritur ta zotërojë përmes teknikave të rrëfimit”, është shprehur Bashota.
Ndërsa autori i librit pasi ka falënderuar të gjithë të pranishmit me rastin e promovimit të librit të tij të parë e në veçanti ata që vlerësuan lart librin dhe tematikën e tij. Sipas Bytyçit të shkruash apo të krijosh diçka, duhet një shtytje miqësore, familjare dhe shpirtërore. “ Unë i pata të gjitha këto. E dija që një ditë do të shkruaja diçka dhe atë ma kërkonte shpirti dhe këtë ma përsëriste edhe zëri i shpirtit, po dhe gjeni nga babai”, ka thënë autori i librit duke thënë se për çka të shkruaj tjetër përveç për të gjitha ato ngjarje që ka përjetuar populli shqiptar në luftën e fundit.
“Unë në këtë roman dhashë vetëm një këndvështrim, një formë, një rrëfim nga syri apo zemra e një ushtari të ri. Do të jem shumë i lumtur nëse së paku t’i nxis shokët e mi të shkruajnë për atë kohë, për të cilën nuk është lehtë të shkruhet, sepse duhet shkruar për shumë bashkëluftëtarë që nuk janë më me ne”, është shprehur në fund autori i librit, Gazmend Bytyçi.
Ferizaj Press, 08.02.2016
Kommentare
Kommentar veröffentlichen