“Caritas Luxemburgu” realizon projekt të integruar në Mirash

Mirash; 11.12.2013 
Shkolla e fshatit gjatë punimeve

Nga strategjia e “Fondacion Caritas Luxemburgu”, “Zbutja e varfërisë nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm, gjatë vitit 2013, ka përfituar shumë fshati Mirash i Ferizajt. Shkolla e fshatit është bërë me aneks.


Pamje aktuale e shkollës
Derisa bëhej promovimi i renovimit të shkollës, si dhe i ndërtimit të aneksit të saj, përmendeshin edhe faktet e tjera të këtij projekti të integruar duke filluar që nga pajisja e shkollës me mjete të konkretizimit, biblioteka me më se 1500 libra, instalimi i ngrohjes qendrore, punimi i fasadës dhe ndërrimi i dritareve dhe dyerve sipas kritereve moderne dhe termoizolimi i objektit. “Nuk është lehtë t’i paramendoni ndryshimet, nga stufat me dru dhe klasat e tymosura, tash kemi dhomën me kompjuterë dhe me nxehje qendrore”, theksonte Bashkim Bytyçi, drejtor i shkollës, derisa falënderonte Qeverinë e Luxemburgut për këtë donacion që kalonte vlerën prej më se 400 mijë eurove. Në anën tjetër ambasadori i Luxemburgut në Prishtinë, Pjer Weber, pohoi se “kjo është vetëm një pikë e ndryshimit, shkollimi është një proces, tash mbetet të punoni në rritjen e kualitetit të mësimdhënies, sepse nxënësit janë si xehja, kurse arsimtarët si minatorët”. Kurse presidentja e “Caritas Luxemburgut”, ish-ministrja e Arsimit të Luxemburgut, Maria Hoze Jakovski, ndihej e lumtur që projekti i “Caritasit” po përfundonte me sukses. “Ky projekt është shembull i partneritetit të mirë në mes të partnerëve si: “Caritasi”, Qeverisë së Luxemburgut dhe Kuvendit Komunal”, pohoi ajo. Po ashtu edhe kryetari në shkuarje Agim Aliu, duke folur para nxënësve mirashas dhe prindërve të tyre, theksoi se “është një nga projektet më të veçanta i cili pasqyron miqësinë e thellë që kemi me Luxemburgun. Qeveria e këtij vendi ka bërë shumë për Ferizajn, ata kanë ndërtuar edhe Qendrën e kompetencës, një investim ky prej më se 4 milionë eurosh”.

Krahas investimeve në infrastrukturë ky projekt kishte pasur edhe shumë elemente të tjera, si edukimin shëndetësor të nxënësve dhe të nënave, ishin shpërndarë edhe makina të qepjes për gra, kurse fshatarëve iu ishin dhënë sera, më se 60 vetave.

Kommentare