Tefik Lohaj , Personalitet nga Mirashi


TEFIK LOHAJ
1934-2005



Tefik Lohaj lindi më 11 shkurt 1934 në fshatin Mirash, nga babai Rizahu dhe nëna Nurija. Shkollën fillore e përfundoi në Mirash në vitin 1948, duke u dalluar si nxënës shembullor. Mësimet e mëtejshme i vazhdoi në Shkollën Administrative në Kaçanik për dy vjet, deri në vitin 1950. Pas kësaj ndoqi kursin gjimnazial pedagogjik: klasën e parë dhe të dytë në Pejë, klasën e tretë në Prizren, ndërsa vitin shkollor 1953–54 punoi në Shtime, ku mbajti mësim në shkollën tetëvjeçare. Në të njëjtin vit përfundoi klasën e katërt të gjimnazit dhe më 7 shtator 1954 dha provimin e semimaturës në Pejë.

 

Në moshë shumë të re, gjatë vitit shkollor 1949–50, Tefiku u emërua për herë të parë mësues i përkohshëm në shkollën fillore të Babushit të Muhaxherëve. Pikërisht aty hapi paralelen e parë në gjuhën shqipe. Gjatë viteve të mëvonshme punoi në disa shkolla të rajonit: në Mirash, në Cerrnill, në Godanc dhe përsëri në Mirash, ku shërbeu si mësues për disa vite. Në vitin 1955–56 u emërua në Prelez të Muhaxherëve.

 

Në shtator 1956 ndërpreu punën si mësues për shkak të shërbimit ushtarak. Pas përfundimit të tij, u kthye përsëri në Mirash ku punoi gjatë një periudhe të gjatë si mësues. Krahas punës, vazhdoi shkollimin me korrespondencë për të përfunduar Shkollën Normale. Klasën e parë e kreu në Gjilan më 1960, ndërsa klasët tjera i përfundoi në Shkollën Normale “Zenel Hajdini” në Ferizaj, ku u diplomua më 1968.

 

Pas diplomimit, u pranua mësues në shkollën fillore “Halit Ibishi”, paralelja e ndarë në Mirash. Në këtë shkollë punoi pandërprerë deri në vitin 1978. Në 22 shkurt të vitit 1978 u emërua drejtor i Shtëpisë së Kulturës “Ruzha Paunoviq” në Babushin Serb. Për shkak të mungesës së personelit, ai administroi edhe bibliotekën që funksiononte brenda Shtëpisë së Kulturës. Punën e drejtorit e nisi më 15 mars 1978 dhe e vazhdoi deri në pension.

 

Tefiku nuk u kufizua vetëm në punën me nxënësit. Ai udhëhoqi edhe kurse për të rritur, si për femra ashtu edhe për meshkuj, me qëllim të zvogëlimit të analfabetizmit, që ishte i përhapur në Mirash dhe rrethinë. Gjithmonë ishte i angazhuar në aksione për përparimin dhe zhvillimin e fshatit.

 

Ai shërbeu si kryetar i Bashkësisë Lokale në Babush. Me kontributin e tij, Mirashi fitoi statutin e Bashkësisë Lokale të veçantë. Në mbledhjen konstituive, Tefiku u zgjodh kryetar i Pleqësisë së Bashkësisë Lokale të Mirashit. Ishte njohës i shkëlqyer i organizimit administrativ të pushtetit lokal dhe njihej si administrator i aftë. Shumë herë përfaqësoi banorët si porotë në Gjykatën Komunale dhe mbajti edhe funksione të tjera udhëheqëse.

 

Gjatë viteve 1981–1990, kur në shkollën “Halit Ibishi” u bë diferencimi ideopolitik i kuadrit arsimor, Tefiku si aktivist komunal doli në mbrojtje të arsimtarëve shqiptarë. Për këtë arsye dhe për angazhime të tjera, ai u bë i padëshirueshëm për strukturat serbe. Në mitingun e njohur si Jogurt-Revolucioni, në Babush, u kërkua largimi i tij nga posti i drejtorit të Shtëpisë së Kulturës.

 

Më 30 janar 1990, pas një demonstrate në Mirash, Tefiku u arrestua. Fillimisht u dërgua në stacionin policor të Babushit, pastaj në SPB të Ferizajt ku u mbajt në bisedë informative dhe u maltretua. Më pas u dërgua në Gjykatën Komunale, ku u akuzua për organizimin e demonstratave. Për shkak të mungesës së dëshmive, gjykata e liroi, por mbeti nën hetime deri në fund të jetës.

 

Për shkak të presionit të vazhdueshëm, më 18 shkurt 1989 paraqiti lutje për pensionim të parakohshëm. Edhe pas daljes në pension, pushteti serb vazhdoi ta shqetësonte: shpesh thirrej në polici, maltretohej dhe akuzohej për mbajtje armësh pa leje.

 

Tefik Lohaj ishte një mësues dhe edukator i përkushtuar, një administrator i aftë dhe një aktivist i palodhur. Njihej si njeri i qetë, i dashur dhe këshillues i mirë, gjithmonë në mbrojtje të interesave njerëzore dhe kombëtare. Pas një sëmundjeje të shkurtër, ndërroi jetë më 10 prill 2005 në spitalin e Prishtinës, duke lënë pas kujtime të paharruara dhe një vepër të çmuar në arsim dhe komunitet.



K O M E N T E 

Për Mirashin ka qen nderë që patem personalitete si Bacin Tefik! Për mua dhe gjenaratat e reja ka qen kënaqësi e veqant të merrnim këshilla nga gjith ai bagazh Kombëtar e intelektual që mbarte Baci Tefik. Të gjith Mirashianët jemi hisedar në ngushllimin dhe krenarinë a familjes Lohaj! Respekt.
Gazmend Bytyçi


Ne ende shpresojmë se do të ktheheni përsëri në familjen tonë të gjerë, sepse nuk po kemi shpirt dhe durim të pajtohemi me vdekjen tënde e cila te mori në momentin kur ne ishim në lulen më të bukur të rinisë dhe ti ishe shumë i gëzuar që kishe një familje të respektuar.Prania jote edhe sot është e nevojshme, prandaj ne ndiejmë nevoj ende për ty. Të përkujton me mall në këtë 8 vjetor të vdekjes tënde familja.
Bekim Lohaj

Respekt për veprën dhe personalitetin e Bacës ( Mësuesit ) Tefik .
Rashit Qalaj


Ishte i nderuar dhe i rrespektuar nga të gjith dhe ashtu do të mbetet edhe ne na bëri që të mburremi që e patën.
Nexhat Lohaj

Po është e vërtet se për një njeri të menqur , të urtë dhe të afërt me gjithkënd jo vetëm familja e afërt që e ndin mungesën për te, por i  gjithë  fshati ynë  dhe ata që e njohën!!!
Sadbere Bytyçi-Biba

Baca Tefik ishte njeri i urtë e mikprites , i rrespektuar e vizionar , e kujtojmë  me Rrespekt.
Hanefi Bytyçi
E kujtojm me rrespekt
Arsim Qalaj

Rrespekt për mësuesin tim të parë.
Sebahate Selmani-Mehanolli


Kam pas nderin të jem pjesë e aktiviteteve të përbashkëta me bacën Tefik në fshatin tonë. I jam mirënjohës, sepse nga urtësia, mençuria dhe mendjemprehtësia e tij, kam përfituar në zgjidhjen e problemeve në komunitetin tim.
Bashkim Bytyçi

Paqëja qoft e tija dhe e familjes që e la pas: Krenaria na mbetet neve brezave pas tij, andaj uroj që shembulli i i bacës Tefik të jet frymëzim për ne dhe ardhmërin e rinisë së fshatit ton dhe më gjer.
Jeton Bytyçi

Kommentare