Në kujtim të Bacit Deli

Në kujtim të Bacit Deli

nga Xhavit Selmani

10 mars 2013, në fshatin tonë Mirash, u nda nga jeta bashkëvendasi ynë, Deli Bytyçi. Të nesërmen, më 11 mars, ai u përcoll për në banesën e fundit në varrezat e reja, tek “Guri i Gatë”.

Pas ceremonisë fetare, këshilltari komunal nga Mirashi, z. Ymri Hashani, mbajti një fjalë përkujtimore për kontributin e Bacit Deli në jetën e fshatit. Në emër të Degës së LDK-së në Ferizaj dhe Nëndegës në Mirash, ai i shprehu familjes, shokëve dhe miqve ngushëllimet më të sinqerta.

Kush ishte Baci Deli?

Deli Hajdin Bytyçi lindi më 3 mars 1928, në fshatin Mirash, dhe gjithë jetën e tij ia kushtoi të mirës së përgjithshme, pa u ndalur asnjëherë për përfitime personale.

Ishte ndër organizatorët kryesorë të shtrimit me zhavorr për herë të parë të rrugës në drejtim të Babushit. Po ashtu, dha një kontribut të veçantë në aksionet vullnetare për mirëmbajtjen e rrugës dhe hapjen e kanaleve anësore, duke organizuar fshatarët me përkushtim.

Vendosja e linjës së autobusit Ferizaj–Mirash, që për shumë kohë ishte arterie jetike për banorët, nuk do të ishte e mundur pa përpjekjet e tij.

Në sezonat e korrje-shirjeve, Baci Deli dhe veprimtarë të tjerë angazhoheshin për të siguruar kombajna dhe përcaktimin e çmimeve, me qëllim që puna në fushë të bëhej në kohë dhe me efektivitet.

Gjatë ndërtimit të shkollës së re dhe asfaltimit të rrugës në fshat, Deli Bytyçi dha një kontribut të jashtëzakonshëm, duke qenë pjesë e të gjitha proceseve organizative dhe fizike.

Kur pushteti serb ndërroi emrin e shkollës së Mirashit, ai ishte ndër zërat më të fortë kundërshtues, duke marrë pjesë aktive në të gjitha organizimet protestuese. Ishte anëtar i delegacionit të fshatit që bisedoi me strukturat komunale dhe ish-BVI-në e Arsimit për të kërkuar rikthimin e emrit të shkollës.

Në kohën e grevës së minatorëve, ai ishte bashkënënshkrues i telegramit përkrahës, duke treguar vendosmëri dhe qëndrim të qartë politik.

Baci Deli dha gjithashtu kontribut financiar për mbështetjen e Radio Televizionit të Prishtinës, në kohën kur kjo media ndodhej nën presion të ashpër nga bllokada serbe.

Ai ishte anëtar i këshillit organizativ për themelimin e Nëndegës së LDK-së në Mirash, dhe në Kuvendin e parë zgjedhor u zgjodh anëtar i Kryesisë së saj. Deri në fund të jetës, mbeti aktivist i palodhur i LDK-së dhe zë i përhershëm i të drejtës.

Një trashëgimi për gjeneratat

Për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë, Baci Deli duhet të mbetet shembull i gjallë i veprimtarisë vullnetare dhe dashurisë për vendlindjen. Ai nuk kërkoi kurrë lavdi, as përfitime, por punoi me bindjen e thellë se përparimi i fshatit është përgjegjësi e të gjithëve.


Kommentare