HAPJA E SHKOLLËS FILLORE NË MIRASH

Në vitin 1926, në Mirash hapet shkolla fillore në gjuhën serbokroate. Për këtë, më së miri na njoftoi mësuesi i parë në këtë shkollë Lubomir M. Komandina. Ai më 8 Maj 1976 e dërgoi një letër:

Përmbajtjen e letrës po e përkthejmë në Gjuhën Shqipe dhe ja çka shkruante:
„pasi që kam qenë njëri ndër mësuesit e parë në Shkollën Fillore në Mirash, dëshiroj të jap disa shënime të rëndësishme për historikun e shkollës suaj, sepse tani mbushet 50 vjetori i themelimit të saj.

Me Vendimin e Ministritt ë Arsimit, Stjepan Radiqit, hapet Shkolla Fillore në fshatin Mirash, në prill të vitit 1926.

Pas kryerjes së shërbimit ushtarak mora këtë vendim – vend pune mësues dhe më 9 Maj 1926 e hapa shkollën.

I regjistrova 35 nxënës, vetëm meshkuj, kurse femra asnjë edhe pse bëra përpjekje të mëdha, nuk pata sukses. Në shkollë punova deri më 1 Korrik 1926. Pasi që ky ishte vit parapërgatitor (mësimi i gjuhës serbokroate), arrita që t’i aftësoj për klasën e parë 4 nxënës. Veçanërisht përparoi (Halit Ibishi) nga fshati Cërnillë. Gjyshin ia kam njohur, quhej Beqir nga Satova – Cërnilla. E di se mësonte në gjimnazin e Shkupit, por më shumë nuk di për të“.
Përshëndetje shoqërore nga Lubomir M.Komandinaa, mësues në pensin
Prokuple – Serbi

Në bisedë me mësuesin Lubomir mësuam këto: Atëbotë fshati kishte 50 shtëpi, popullsia ishte e varfër, e prapambetur dhe analfabete, ndërsa pamja e natyrës së këtij fshati ishte tërheqëse. Ndërkaq, ne po shtojmë se fshati Mirash shtrihet rrëzë maleve të zhegovcit, të cilat janë të pasura me kullosa. Në perëndim të fshatit shtrihet fusha pjellore e Kosovës.
Fshati Mirash e përbëjnë dy lagje, me nga 100 shtëpi, tani të dyja janë shoqata të LSPP që e përbëjnë BL të fshatit Mirash.

Mirashi është i banuar me popullësi shqiptare. Numri i banorëve është mjaft i madh, me 1570 banorë. Dy kilomentra larg tij gjendet Mirashi i Ri, me popullsi serbe.

Shkolla, veprimtarinë e vet e filloi në mejtepin  e dikurshëm. Ndërtesa ndodhej në oborrin e xhamisë së fshatit.

Kjo kishte një dhomë mësimi dhe zyrën e mësuesit. Ndihmës nëpunës ishte Murat Lohaj (Beqa). Lubomiri punoi deri më 1.7.1926


(Marrë nga Monografia “Shkollat në Komunën e Ferizajt” të autorëve Qemal Ratkoceri dhe Ruzhdi Marevci. Botues: Shoqata Regjionale e Veteranëve të Arsimit “Zekeria Cana” Ferizaj, 2007, Faqe 165)

Kommentare