Mirashi - Dr.Jusuf Osmani



Shtrihet rreth 12 km në verilindje të Ferizajt , përgjatë një vije rreth 3 km të gjatë, rrëzë maleve të Zhegocit.

Sipërfaqja: 1177 ha, 61 ari, 43 m.

Lagjet: Lagja e Xhamisë me nënlagjet: Bytyçët, Lohajt, Thaçt, Qalajt, Bajraktarët, Bibajt, Leskovcët dhe Govorët.

Lagja e Hashanëve ka këto nënlagje: Hashanët, Xhafajt, Raçët, Prekadinët, Kamenicët, Tarajt, Gavazët dhe dy shtëpi të minoritare Gucin dhe Mirashi i Ri: Vërbica dhe Lohaj.

Mikrotoponimet më karakteristike: Kodra e Bekës, Lugu i Kishës, Kroni i Prengut, Kroni i Kalluxherit, Vneshtat, Guri i Gatë, Lamët  e Spahiut,  Kroni i Bunjakut, Rrafshinat, Livadhet e Buta, Kroni me Gurë, Lugu i Thellë, Lugu i  Shotave, Podi etj. (2)

Gjetjet arkeologjike të rastit në ngastrën e këtij fshati dëshmojnë për vjetërsinë e këtij vendbanimi. Në fshat ndodhet  Çeshmja e Madhe dhe e Vogël, aty ndodhen disa puse të punuar me tullat e pjekura dhe të veshura me dru të skalitur. Në popull thuhet se janë të “kohës së Rimit”. Jo fort larg nga këto puse ndodhet një themel kishe, kurse në një hapësirë prej disa ha përreth këtij themeli ndodhen disa gërmadha, sigurisht  themele shtëpish. Rreth një km larg ndodhet sërish dy themele pranë njëra tjetrës. Ky vend njihet me emrin Lugu i Kishës ose Lazina e Kishës. Rreth 200 m më larg ndodhen 12 varre të rrethuar me gurë, varësisht nga madhësia e personit të varrosur. Mund të jenë varreza ilire. Në këtë fshat janë gjetur edhe theme të tjera. Jo larg këtij vendbanimi gjendet, vendbanimi i njohur antik Murakova, ku ka gjurmë të shumta të vendbanimit. Po në këtë lokalitet ka ekzistuar një shkritore e plumbit. Ndërmjet fshatit Mirash dhe një lagje – fshat, Fushë e Madhe, është lokaliteti që quhet Samakovë. Këtu është nxjerrë dhe shkrirë xeheja e plumbit. Në vendin Kroi i Prengës janë gjetur disa pllaka guri dhe maje heshtash. Ndërsa në vendin Vreshtat është gjetur një gur varri me mbishkrim Zllajka. Në lokalitetin e këtij fshati janë gjetur edhe enë qeramike, etj.(3)

Në regjistrin katastral osman të vitit 1455 të Vilajetit Vëllk me emrin Mirash kishte 48 shtëpi e 2 beqarë. (4) Në defterin katasral osman të Sanxhkut të Vushtrrisë të vitit 1566-74 kishte 23 shtëpi e 2 beqarë.(5)

Arqipeshkv Pjetër Karagiqi në shtesën relate të tij, të vitit 1725 shkruan se në qytetin e Janjevës misionar apostolik është don Mikel Summa, i cili shërben edhe në fshatin Miros që i ka 2 shtëpi me 6 anëtarë besimtarë të krishterë.(6)

Me këtë emër është e regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318 h).

Përveç shqiptarëve vendës që jetonin në këtë fshat, këtu u vendosën pjesëtarët e këtyre vëllazërive shqiptare të dëbuara nga treva e Toplicës dhe e Jabllanicës në vitin 1878: Mërkoja, Raça, Kamenica, Prekadini dhe Govori.(7)

Serbët dhe malazezët u vendosën këtu si kolonë pas vitit 1921. Deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore u kolonizuan 22 familje kolone sllave, kryesisht nga Hercegovina. Ato krijuan lagjen me vete, që më vonë quhet Mirashi i Ri.(8).  Të gjitha atyre familjeve pushteti agrar u kishte dhënë nga 10 ha tokë, dhe atë 5 ha afër shtëpisë, ndërsa 5 ha të tjerë pakëz më larg. (9)

Prej vitit 1912 – 1956 nga fshati Mirash për në Turqi e vende të tjera, janë shpërngulur rreth 30 familje, siç ishin familjet e Hashanëve, Bytyçëve, Lohajve, etj. Ndërsa, një familje e Thaçëve është shpërngulur në Shqipëri para Luftës së Dytë Botërore. Familje muhaxhire Mërkonja është shpërngulur në Prishtinë. (10)

Në vitin 1913, gjatë rezistencës kundër pushtuesit serb u vranë 5 banorë të këtij vendbanimi.(11)
Shënimet statistikore: Mirashi rreth vitit 1900 kishte 30 shtëpi shqiptare (11), ndërsa pesë vjet më vonë kishte 57 shtëpi shqiptare; në vitin 1913, 431 banorë; në vitin 1918 – 47 shtëpi me 465 banorë shqiptarë; sipas regjistrimit të vitit 1921 – 92 shtëpi me 700 banorë; në vitin 1948 – 121 shtëpi me 921 banorë, në vitin 1953 – 130 shtëpi me 1002 banorë; në vitin 1961 – 156 shtëpi me 1169 banorë (1068 shqiptarë, 98 serbë, 3 të tjerë).

Që nga viti 1971 ky vendbanim llogaritet administrativisht si dy vendbanime; Mirashi i Vjetër dhe Mirashi i Ri.

-          Mirashi i Vjetër:

Në vitin 1971 kishte 182 shtëpi me 1231 banorë shqiptarë, 2 të tjerë, ndërsa në vitin 1981 kishte 194 shtëpi me 1473 banorë (1465 shqiptarë, 8 myslimanë).

-          Mirashi i Ri

Në vitin 1971 kishte 15 shtëpi me 81 banorë, ndërsa në vitin 1981 kishte 15 shtëpi me 74 banorë (25 shqiptarë e 49 serbë). Sipas regjistrimit serb të vitit 1991 kishte 43 banorë serbë.

Fshati Mirash para lufte 1999, kishte 232 shtëpi banimi. Prej tyre 229 shtëpi ishin shqiptare, kurse tri prej tyre ishin rome, gjithsej me afro 2200 banorë. Gjatë ofenzivës së 16 prill 1999 armiku në këtë fshat ua vuri flakën 33 shtëpive dhe dy shkollave,  duke shkaktuar dëme të madhe material dhe u dëmtua rënd fondi i bagëtive. (13)

Në Mirashin e Ri në të jetojnë 4 familje të Vërbicëve, të ardhur nga Urbishta e Zhegocit para 35 vjetëve dhe Loha 4 shtëpi të ardhur para 10 vjetëve nga Mirashi. Këtu , deri në vitin 1999 jetonin edhe 9 familje serbe, shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar. Popullata ishte dëbuar nga fshati më 30 mars 1999 dhe ishte strehuar në fshatrat e tjera. (14)
Dr. Jusuf Osmani

(Dr.Jusuf Osmani, Vendbanimet e Kosovës 9, Ferizaj, Shtimja dhe Shterpca, Prishtinë 2004. Faqe: 100-101-102)


Referencat:
(1)     Shënimet për Lagjet janë marrë nga : Informatori Komunal – shkurt  2004 Ferizaj.
(2)     Shënimet janë marrë më 14.09.2002 gjatë vizitës së fshatit Mirash nga Ali Bytyçi, arsimtar.
(3)     Shënimet për këtë vendbanim I mblodhi Bashkim Bytyçi, professor I historisë nga ky fshat.
(4)     Oblast Brankovica, fq: 136.
(5)     Defterii I Sanxhakut të Vushtrisë I vitit 1566 – 75, S.Pulaha, Popullësia…..fq:674.
(6)     Frok Zefi, Arqipeshkvnija Shkup – Prizren në shekullin e XVIII-të, Osjek, 2000, fq:152.
(7)     Dr.S.Uka, Vendosja dhe pozita…..fq:231-232.
(8)     Dr.M.Obradovic, Agrarna reforma.....fq:243-244.
(9)     Sikurse fusnota 2
(10)  Shënimet e Bashkim Bytyçit, profesor dhe të Ali Bytyçit.
(11)  Kadri Ramadani, Punim diplome, Shënimet janë marrë nga Ramë Prekadini (1918) dhe Muharrem Xhaferi (1917).
(12)  B.Nusic, Kosovo, fq: 256.
(13)  Shënimet e Bashkim Bytyçit, profesor i historisë; Informatori Komunal, Ferizaj, shkurt 2004.
(14)  Tregoi më 14.09.2002 – Bajram Avdyli (1924).

Kommentare