Vetëvendosje, për një bujqësi të zhvilluar
Kosova Info, Ferizaj, 24
prill 2012
Sot, duke filluar nga ora 13:00, Lëvizja
VETËVENDOSJE! ka vazhduar aktivitetin e saj parazgjedhor për kryetar komune të
Ferizajt. Radhën e kishte bujqësia dhe problemet e fshatit. Kandidati i
Lëvizjes VETËVENDOSJE! për kryetar komune Faton Topalli, i shoqëruar nga
nënkryetari i Lëvizjes Shpend Ahmeti dhe nënkryetarja Aida Dërguti, bashkë me
një grup aktivistësh e qytetarësh kanë vizituar fshatin Mirash, për të mësuar
nga afër problemet me të cilat përballen bujqit e blegtorët e komunës sonë.
Me të mbërritur në këtë
fshat piktoresk, edhe syri më i rëndomtë i vëren mundësitë që këtij fshati i ka
dhënë natyra për zhvillimin e bujqësisë e blegtorisë.
Në hyrje të fshatit takuam
Idriz Lohajn, një fermer nga ky fshat që po kulloste bagëtitë. Idrizi bujqësinë
e blegtorinë i kishte traditë familjare. Kishte 200 krerë qengja që me gjithë
kujdesin e përkushtimin e tij, nuk arrinte dot të përfitojë nga shitja e tyre.
“Qeveritë e shteteve fqinje po i subvencionojnë më shumë fermerët e tyre, si
rezultat i kësaj ato po dalin me çmime më të lira në treg, e neve këndej,
Qeveria jonë nuk po na e mbron tregun”, tha Idrizi shkurt e shqip, atij
ekonominë ia kishte mësuar jeta.
Shkuam edhe në stallën e
tij, i pamë nga afër kushtet e vështira në të cilat ai e mban bagëtinë. Prej
tij mësuam se subvencionimi për bagëtitë nga ana e komunës sivjet ka zbritur
përgjysmë krahasuar me vitin e kaluar, nga 10 euro në 5 euro. Ai na tregoi se
dikur në fshatin Mirash banorët e këtij fshati kishin gjithsej 2000 krerë dele,
ndërkaq sot numëron vetëm 350 sish.
Idrizi merrej edhe me të
mbjellat. I kishte 10 hektarë të mbjellë me grurë, e pengesat nuk ishin më të
vogla as këtu. I kishte dy makina shirëse (auto – kombajna) për të korrurat e
nuk po ia dilte dot me derivatet. Ishte subvencionimi i naftës kërkesa e tij
për kandidatin tonë Faton Topalli. Ai e dinte fare mirë se interesi kreditor
për bujqësi në vendet perëndimore ishte 1,5 deri në 2,5%, ndërkaq në Kosovë ky
interes arrin shifrën prej 24%.
Kandidati i Lëvizjes
VETËVENDOSJE! për kryetar komune, Faton Topalli në bashkëbisedim me fshatarët e
Mirashit tregoi se sektori i bujqësisë është një nga sektorët që i është
kushtuar rëndësi e veçantë ne përpilimin e programit qeverisës për komunën e
Ferizajt. Në pika të shkurtra ai shpalosi para tyre orientimet kryesore për
zhvillimin e bujqësisë. Tri janë shtyllat kryesore ku programi ynë do të
ndërhyjë për ta ndryshuar rrjedhën aktuale të gjërave: dyfishimi i
subvencioneve, hapja e një zyre për orientim dhe këshillim dhe subvencionimi i
produkteve strategjike. E para mund të bëhet shumë lehtë vetëm me kursime që
Lëvizja jonë do të bëjë kur do ta ndalojmë luksin e salltanetin e pushtetarëve.
740 mijë euro mund të kursehen vetëm duke shmangur keqpërdorimet e korrupsionin
në komunë. Zyra për orientimin dhe këshillimin bujqësor do të përbëhet prej
agronomëve dhe ekonomistëve. Ajo do t’i vizitojnë bujqit për t’iu dhënë
këshilla profesionale, por e njëjta do ta studiojë tregun për t’i udhëzuar ata
se në cilën kulturë bujqësore është më e leverdishme të investojnë. Ndërkaq,
varësisht nga studimi i kërkesës, komuna do të subvencionojë produktet
strategjike.
Pas kandidatit Faton
Topalli, fjalën e mori Shpend Ahmeti, nënkryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Shpendi tregoi se nga mbarë buxheti i Kosovës, zhvillimit të bujqësisë i është
ndarë vetëm 1,5% e këtij buxheti, ndërkohë që dihet mirëfilli se mbi gjysma e
popullsisë së Kosovës jeton në fshat. Pushteti në Kosovë flet shumë për vlerat
evropiane e integrimin, por ndryshe nga Qeveria në Kosovë, 1/3 e buxhetit
evropian i ndahet bujqësisë. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka bujqësinë prioritet, si
në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal për komunën e Ferizajt. /KI/
Kommentare
Kommentar veröffentlichen