Ministria e Bujqësisë, në Ferizaj përkrahëm 1748 fermerë

Telegrafi, 25.04.2012,  15:00

Zyra për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Bujqësisë, për shkak të dezinformatave që dje dhe sot janë plasuar në mjetet e informimit nga subjektet politike në Ferizaj për sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, dëshiron të sqarojë për opinionin publik se gjatë dy viteve të fundit, në komunën e Ferizajt kanë përfituar përkrahje të drejtpërdrejtë gjithsej 1748 fermerë në vlerë prej 713.864 euro .

Fermeri Idriz Lohaj nga fshati Mirash i komunës së Ferizajt, i cili dje ishte pjesë e një storie televizive që ndërlidhej me fushatën politike në Ferizaj, nuk ka aplikuar asnjëherë për të përfituar përkrahje me emër të tij, mirëpo sipas informacioneve të drejtorisë bujqësore komunale, ai jeton në bashkësi familjare dhe familjarët e tij në dy vitet e fundit kanë përfituar gjithsej 6084 euro nga Ministria e Bujqësisë. Ndërsa, vetëm në fshatin Mirash kanë përfituar gjithsej 76 fermerë në vlerë prej 28.581 euro për lopë qumështore, për kafshë të imëta dhe për sipërfaqe të mbjella me grurë.

Po ashtu, të gjithë autokombajnerët që kanë marrë pjesë në fushatën e korrje-shirjeve janë subvencionuar në derivate të naftës në masë prej 25-30 për qind nga Ministria e Bujqësisë.

Komuna e Ferizajt dhe shumica e komunave të tjera nuk japin subvencione për krerë të bagëtisë, sepse blegtorët subvencionohen nga Ministria e Bujqësisë dhe vitin e kaluar nuk ka pasur përgjysmim të subvencioneve, siç deklaruan disa prej përfaqësuesve të subjekteve politike në Ferizaj, nga 10 euro në 5euro për krerë të kafshëve të imëta, por ekzekutim të subvencioneve në dy këste nga 5 euro.

Subvencionet për krerë të kafshëve të imëta nuk ndryshojnë shumë nga subvencionet që jepen në vende të tjera, sepse në Romani jepen 9 euro për krerë, në Kroaci 16 euro, në Maqedoni 15 euro, ndërsa në Kosovë 10 euro . Gjithashtu, në kuadër të secilës drejtori bujqësore komunale dhe në kuadër të secilës zyre regjionale të MBPZHR-së, ekzistojnë edhe zyrtarë që ofrojnë shërbime të ndryshme këshillimore profesionale për fermerë dhe jo vetëm produktet, mirëpo edhe sektorët që përkrahen janë sektorë strategjik, që kanë rëndësi më të madhe ekonomike.

Zyra për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Bujqësisë apelon tek të gjitha subjektet politike që po marrin pjesë në fushatën zgjedhore në Ferizaj, që mos ta keqpërdorin fushatën politike për ta dezinformuar opinionin publik lidhur me sektorin e bujqësisë dhe, si gjithmonë, është në dispozicion të gazetarëve për të verifikuar saktësinë e secilit informacion që ndërlidhet me këtë sektor. /Telegrafi/


**************


Fotografi nga vizita e Vetëvendosjes në Mirash








Kommentare