Gjatë luftës
heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në altarin e atdheut kanë rënë edhe
shumë studentë dëshmorë, të cilët lanë studimet në përfundim e sipër dhe iu
përgjigjën kushtrimit të legjendarit Adem Jashari për të luftuar kundër
okupatorit serb dhe për ta çliruar Kosovën nga robëria. Në mesin e tyre ishte
edhe Astrit Bytyqi, i cili u lind në një familje arsimuesish, më 17 prill të
vitit 1975, në Ferizaj.
Astriti, mësimet
e para i mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm në shkollën fillore “Tefik çanga”, në
Ferizaj. Po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm ka kryer mësimet e shkollës së
mesme, drejtimi i lëndëve teknike, po në Ferizaj.
Regjistron
studimet në Universitetin e Prishtinës, në kohën kur studentët dhe nxënësit
shqiptarë, me urdhër të regjimit të Milosheviqit ishin dëbuar nga shkollat dhe
mësimin e ndiqnin nëpër shtëpi private.
Qysh i ri,
Astriti e ndien mbi supe shtypjen e rëndë të robërisë. Ai ishte edukuar në një
rreth, ku ishte frymëzuar me idealet e pastra atdhetare. Edhe pse i ri, ai i
takonte rinisë atdhetare, e cila kishte kuptuar me kohë se politika e durimit
çonte në skllavëri të përjetshme. Lexonte literaturë me përmbajt jet atdhetare,
shkruante poezi dhe burim të vetëm frymëzimi kishte idealin e shenjtë të
çlirimit të viseve të robëruara të Shqipërisë, ideal të cilin e kishte frymëzim
nga babai, Gafurri, mësimdhënës dhe nëna, Harnideja.
Në kohën kur po
studionte në Universitetin e Prishtinës, në Degën e Letërsisë së Fakultetit
Filozofik, takon shumë bashkëmendimtarë të rezistencës aktive. Ishte
pjesëmarrës i demonstratave studentore të 1 Tetorit të vitit 1997, demonstrata
këto të cilat patën bërë jehonë te rinia përparimtare, duke i dhënë për të kuptuar,
regjimit okupator se përpjekja për liri do të vazhdonte jo vetëm me protesta
por edhe me armë në dorë.
Duke qenë në
dijeni të ekzistencës dhe veprimeve luftarake të UÇK-së, Astriti tashmë kishte
vënë kontakte edhe me pjesëtarë të saj. Bekim Haxhiu nga fshati Tërnac i
Skënderajt.
gjatë luftës i
njohur si komandant Kamishi, ka rrëfyer se së bashku me Astrit Bytyçin dhe Uran
Tinovën, qysh në dhjetor të vitit 1997 kanë formuar një grup. i cili ka vepruar
nën platformën e UÇK-së, duke kryer edhe aksione kundër institucioneve të
regjimit okupator.
Ndërkohë, Astrit
Bytyçi dhe shoku i tij i ngushtë, Uran Tinova marrin përsipër formimin e
grupeve në Ferizaj.
Në prill të vitit
1998, së bashku me Uranin lajmërohet në Zonën e Drenicës. Urani ndalet në
Drenicë, ndërsa Astriti merr detyra për ta vazhduar aktivitetin në Ferizaj.
Pranvera e vitit
1998 paralajmëronte fillimin e fundit të dëbimit të regjimit kolonialist serb
nga Kosova. Rënia në altarin e atdheut e Adem Jasharit dhe Jasharëve të tjerë,
mobilizoi me shpejtësi forcat e vërteta atdhetare, të cilat tashmë kishin
mbështetur fuqishëm konceptin e UÇK-së për çlirimin e vendit me luftë të
armatosur.
Edhe pse ishte
absolvent i shquar dhe i zellshëm i letërsisë, Astriti la studimet dhe iu
përvesh aktivitetit luftarak. Disa herë kontakton me bashkëveprimtarët, në
Drenicë, nga të cilët merr obligime dhe detyra të caktuara, ndërsa më 15
shtator të vitit 1998, vendoset në pikën ushtarake të UÇK-së në Shalë të
Drenicës jugore (ish-Sedllar).
Atje ishte në
mesin e eprorëve dhe luftëtarëve të dalluar si Heset Sahiti, Ali Mejzinolli,
Shaqir Hoxha, Arben Pajaziti e të tjerë.
Duke qenë se
shumë vullnetarë të lirisë kërkonin të shkonin në Shqipëri për armatim, në
mesin e tyre edhe ushtarë tashmë të rregullt të formacioneve të UÇK-së, edhe
Astrit Bytyqi, i cili ishte inkuadruar në radhët e Batalionit “Ruzhdi Salihu”
të Brigadës 121 Ismet Jashari-Kumanova, së bashku me luftëtarët: Ramadan
Elshani, Enver Olluri, Bashkim Krasniqi, Arben Hyseni, Isa Olluri, Mentor
Ibriqi e shumë të tjerë niset për në Shqipëri. Komanda e Shalës kishte bërë
përpjekje të mos e dërgonte për armatim, meqë ai tashmë kryente detyra të
caktuara, por ai nuk ishte ndalur. Natën e tre nëntorit të vitit 1998, në
përcjellje të Ramiz Qeriqit, komandant i Batalionit “Ruzhdi Salihu”, Astriti
niset për në Shqipëri.
Asokohe, me
qëllim për të marrë armë dhe municion kishin depërtuar në Shqipëri edhe shumë
luftëtarë të tjerë nga Drenica, në krye me komandant Mujë Krasniqin.
Më 3 nëntor të
vitit 1998, Astrit Bytyçi, Arben Hyseni, Enver Olluri, Bashkim Krasniqi, Isa
Olluri, Bashkim Elshani, Qamil Olluri, Hazir Murati, Xhelë Xheladini e të
tjerë, në përcjellje të Ramiz Qeriqit, i njohur si komandant Luani, pastaj Ali
Durmishit, Dalip Rizanit, nisën për në Ngucat e prej andej në Shqipëri. Pas një
pushimi në Ngucat, ata së bashku me një grup luftëtarësh nga Zona Operative e
Neredimes, të cilin e kryesonin, Afrim Musliu dhe Nuhi Jakupi, nisen dhe pas
një kohe të shkurtër depërtojnë shëndoshë e mirë në Shqipëri.
Ai me bashkëluftëtarë
do të qëndrojë rreth 40 ditë në qendrat stërvitore të UÇK-së. Duke qenë se
bënte dimër me acar dhe dëborë, komandantët e UÇK-së përcillnin me kujdes
terrenin dhe nuk lejonin që grupet të rrezikonin, meqë depërtimi duhej që
vendevende të bëhej edhe nëpër lartësitë mbidetare deri mbi 1800 metra.
Më 13 dhjetor
1998, komandanti Mujë Krasniqi, pasi ishte konsultuar me komandantët dhe
vëzhguesit e terrenit për ta kaluar kufirin, kishte tubuar luftëtarët e lirisë,
të cilëve iu kishte mbajtur një fjalim. Komandanti kishte kërkuar nga të gjithë
luftëtarët që nuk ndiheshin mirë, ose ata që ishin të sëmurë, të mos lëviznin,
ndërsa të gjithë ata që ndiheshin të fortë dhe të disponuar për t’ hyrë në
frontet e luftës në Kosovë të bëheshin gati. Të nesërmen në mëngjesin e acartë
të 14, dhjetorit, në krye të kolonës prej 143 luftëtarëve printe komandant Mujë
Krasniqi nga Qabiqi, së bashku me Beqë Gashin, Rifat Mëziun, e të tjerë.
Kolonës i printe vetë komandanti, i cili në trupin e tij kishte plagë lufte
ende të pashëruara si duhet.
Në relacionin e
përthyer malor, në vendin e quajtur “Likenet e Hasit” në Gorozhup, me të rënë
agu i acartë mëngjesor, forcat serbe të cilat paraprakisht kishin zënë pritë,
godasin kolonën në befasi. Fillimisht sulmojnë me minahedhës mu në mesin e
kolonës, pastaj me një breshëri të papushuar nga të gjitha anët fillon sulmi i
rrufeshëm kundër luftëtarëve të lirisë, të cilët fillojnë të mbrohen, por të
gjithë ndodheshin në rrethana tejet të pavolitshme, si për shkak të terrenit të
përthyer malor, ashtu edhe dëborës së trashë edhe acarit që kishte kapluar
vendin.
Astrit Bytyçi
ndodhej në të njëjtin grup me bashkëluftëtarët e Batalionit të tij: Isë Olluri,
Qamil Olluri, Bashkim Krasniqi, Ramadan Elshani e të tjerë. Në një moment
breshëria e armës armike godet edhe Astritin me shokë, të cilët mbesin ngujuar
në dëborë, pa pasur mundësi të tërheqjes. Forcat serbe kapin gjallë nëntë
luftëtarë të plagosur, ndërsa të rënët i dërgojnë në morgun e spitalit të
Prizrenit.
Me 21 dhjetor të
vitit 1998, luftëtarët e lirisë, të cilët kishin rënë dëshmorë në malet e
Gorozhupit, në kufirin që asokohe i ndante mes për mes trojet e Shqipërisë, në
mesin e tyre edhe Astrit Bytyçi, bashkëluftëtarët dhe komandantët e tyre i
varrosin në Varrezat e Dëshmorëve, në fshatin Polac të Drenicës.
Astriti ka lënë
babanë, Gafurrin, abën Minavere, motrën.Vjosë, vëlla, Petritin, gjyshin e
gjyshen nga vija e babait, xhaxhanë me dy bijtë dhe bijën e të afërm të tjerë.
Më 17 prill të
vitit 2007, në prani të shumë poetëve dhe adhuruesve të poezisë, u përurua
përmbledhja poetike e Astrit Bytyçit e titulluar: “Yllin tim thërras” ku janë
prezantuar vetëm disa poezi të dëshmorit, meqë shumica ishin asgjësuar nga
policët serbë me rastin e kontrollimit, që i kishin bërë shtëpisë së Gafurr
Bytyçit, babait të Astritit, në Ferizaj, në dimër të vitit 1998/1999. Redaktori
i librit, Hajdin Abazi ka çmuar lart poezitë e poetit dëshmor Astrit Bytyçi.
Familja e
dëshmorit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes së
QPK-së si dhe nga shoqatat e luftës. (A. Q)
Kommentare
Kommentar veröffentlichen