Zhvendosja e popullatës së Mirashit me 16 prill 1999

Pjesë e shkëputur nga ditari im gjatë 78 ditë të bombardimeve të NATO-s.
Zhvendosja e popullatës së Mirashit me 16 prill 1999


Është dita e 24-të e bombardimeve të NATO-sNuk ka përmirësime të situatës. Serbia bënë përpjekje në forma të ndryshme të rezistojë. Në dukje, duket se po shpartallohet dita ditës por në fakt ende qëndron në këmbë. Taktika e saj e radhës është zbrazja e territorit të Kosovës nga popullata shqiptare e pambrojtur.

Mesditë dhe mbanë mot me diell. Me familjen time po qëndronim të gjithë bashkë në një dhomë dhe po drekonim, kur Arbëri, një djal i ri në moshë, përndryshe ishte djali i Sylejmanit (unë e kam djal të xhaxhait) më thërret jashtë dhe më informon se një numër tanksesh të ushtrisë serbe, po i afrohen fshatit. Pak kohë më pas më thërreth Halim Thaqi, një aktivist i dalluar i fshatit. Me të u takuam në oborrin e shkollës së vjetër dhe më njofton se është dhënë urdhër që të largohemi sa më parë nga fshati. Shpejt u përhap lajmi dhe në fshat u krijua panik i vërtetë. Nga Sylejmani, djali xhaxhait tim, kuptova se dy tankse po lëvizin nëpër arat tona në Zabelishtë por që janë duke u përcjellur nga një numër i konsiderueshëm ushtarësh aktiv. U panë edhe dy tankse tjera dhe një kamion me ushtar që udhëtonin nëpër rrugën e Hashanajve dhe për një moment kishin ndaluar te ura në fillimm të lagjës Hashanaj. Përgjatë vijës nga Gurina te Guri i Gatë e në drejtim të Livadheve të Buta ishte krijuar një kolonë ushtarake prej dhjetëra ushtarësh në distancë 10-20 metra dhe po marshonin në drejtim të fshatit. Meqë ishin pak larg që t’i vrojtojmë më mirë me anë të syrit, nuk mund të përafronim numrin e vërtetë të tyre. Ndoshta mund të ishin edhe më shumë. Disa prej tyre filluan të futeshin dhunshëm në shtëpitë e para në hyrje të fshatit. Nuk mund ta shihnim se çka ishin duke vepruar por e kuptonim se fshati tashmë po rrezikohej shumë dhe mund të ndodh në çdo çast edhe më e keqja. Dal në rrugë shumë shpejt dhe takohemi me disa aktivist të fshatit të cilët kishin ndëgjuar lajmin se është dhënë urdhër që deri në ora 15.00 i tërë fshati të boshatiset. Tashmë paniku i kishte kapluar të gjithë për faktin se kishim plot informacione se në raste të tilla ushtria dhe paramilitarët serb kishin bërë masakra të tmerrshme në popullatën civile. Kësaj i druheshim të gjithë. Numri i civilëve, duke llogaritur edhe shumë të zhvendosur, mund të kalonte mbi 5000 njerëz, ndoshta edhe më shumë.

Që nga fillimi i luftës, popullata ishte e përgaditur që për çdo rast të evakuohej me shpejtësi. I ndezëm traktorët, makinat e dikush kishte edhe kamionetë dhe u nisëm duke krijuar kështu një kolonë të gjatë prej disa kilometrash. Sa e dhimbshme po aq edhe e trishtueshme kur sheh nje karvan kaq të gjatë që po zhvendoseshin nga vendlindja dhe po merrnin një rrugëtim po aq të pasigurtë.

Pastrimi i terenit nga ushtria dhe paramilitarët serb kishte filluar një ditë më parë dhe kjo po vërtetohej edhe me arritjen e shumë familjeve të zhvendosura nga fshatrat e tyre që nga Vërbica, Kishnapola, Vrella dhe Gadimja. Nga këto familje kuptuam se ishin bërë masakra të rmerrshme në fshatin Sllovi, por që nuk dihet numri i saktë i të vrarëve. Kjo ishte mjaft shqetësuese dhe e dhimbshme sepse në këtë kolonë të të zhvendosurve mund të ishin tashmë rreth 10000 persona dhe mund të ndodhte ndonjë masakër e paparë.

Automjetet e para të karvanit të të zhvendosurve sapo kishin hyrë në fshatin Rahovicë, ndërsa kolona po mbushej edhe më shumë nga të ardhur të tjerë nga fshatrat përreth. Unë po ngisja traktorin, kurse makinën e ngiste vëllau im Fatmiri. Makinën e kishim lidhur për rimorkio me qëllim të kursimit të karburantit sepse nuk kishim sasi të mjaftueshme për situata edhe më të rënda. Para se të niseshim, i nxorëm të gjitha bagëtitë nga stalla dhe i lamë të lira që të mos digjeshin të gjalla. Kështu po vepronin edhe familjet tjera. E mendonim më të keqen edhe për to. Dyert e shtëpisë i lam të hapura. Pak pas meje po vinte edhe traktori i mbushur me anëtarët e familjes së axhës tim Hajrushit.

Deri sa ngjiteshim tek lagja e Bibajve, herë pas here kthenim kokën pas për të parë edhe njëherë për herë të fundit shtëpitë tona sepse nuk shpresonim se më do të ktheheshim në këtë vend. Për ne, kjo mund të ishte dita e fundit në këtë fshat. Në këtë situatë të rëndë, nuk mund të parashikonim se çfarë na priste e ardhmja. Ankthi, frika dhe pasiguria vërehej në çdo fytyrë që shihja. Shihja lot, ndëgjoja të qara dhe psherëtima në heshtje , por nuk dëgjoja askënd të fliste. Askush nuk bëzante sepse tashmë armikun e kishim fare prtanë këmbëve tona që na vështronin me urrejtje.

Gjatë kohës sa lëviznim nëpër rrugën e fshatit, sa isha duke vozitur traktorin, herë pas here ktheja kokën pas dhe vërejta se si dy tankse dolën mbi shtëpitë e fqinjëve të mi, Sefajve, dhe sapo arritën pranë shtëpive, ua vunë zjarrin stoqeve të ushqimit të bagëtive. Nuk isha i sigurt nëse vetëm stoqet po digjeshin apo ia kishin vënë flakën edhe ndonjë shtëpie sepse flaka ishte shumë e lartë dhe tymi i dendur. Kjo shoi të gjitha shpresat se do të shpëtojnë shtëpitë tona pa u djegur. Askush më nuk bëzante, iu kishte ngrirë gjaku dhe i kishin humbur shpresat. Tashmë ishin në pyetje jetët tona. Dikush rënkonte me fjalët se çfarë do të ndodhë me ne tash? Gratë filluan të qanin në heshtje. Burrat dhe të rinjtë e përballonin, por brenda tyre kuptohej që zihej diçka më shumë. Unë bëra zemrën gur dhe duhej të isha i tillë sepse në rimorkio kisha hiq më pak se 20 veta dhe fati i tyre varej edhe nga unë. Vërtetë që më nuk kisha frikë për veten.

Deri sa po vazhdonim rrugën, te lagja Bibaj pashë se shoku im Maliçi po kthehej në këmbë në shtëpi. Të gjithë i kërkuam të mos bëjë këtë veprim të gabuar por ishte i vendosur dhe vazhdoi tutje. Kur arritëm të lagja e Prekadinëve, aty pamë tmerrin. Duke ndëgjuar informacione dhe raste të shumta se si kishin vepruar paramilitarët në raste të tilla, nuk dyshoja se këtu do të bëhet një masakër e pa pare mbi popullatën civile. Një numër i madh paramilitarësh me maska, të ngjyrosur me ngjyra të ndryshme, ishin shtrirë për tokë dhe kishin zënë pozicione të caktuara dhe ishin të gatshëm për veprim. Ne, të gjithë pritnim për më të keqen. Nuk guxonim as kokën të kthenim anash. Ndërkohë, vërejta se në lagjën e Raçëve po dilte tym i madh. Ne lëviznim ngadal; dhe nuk guxonim për asnjë çast të ndalonim. Na urdhëronin të lëvizim me kujdes, por askush nuk besonte se mund të shpëtonim paq. Deri sa kalonim urën, u dëgjua një krismë e fuqishme aty afër. Menjëherë mendja më vajti për keq se dikush tashmë pati fatin e keq por shpresoja që të mos ndodh më e dhimbshmja.

Numri më i madh ushtarësh ishin përqëndruar te lagja e Xhafajve. Kishte edhe shumë makineri ushtarake. Derisa ne po ngjitehsim rrugës për në fshatin Rahovicë, na parakalonte një tanks gjigant.
Kishte informata se kolona do të drejtohej për në Ferizaj, por nuk doli ashtu sepse kolona ishte ndaluar që të mos vazhdonte më tutje dhe tërë ky numër i madh i të zhvendosurve u bllokua në fshatin Rahovicë. Në hyrje të fshatit, ne qëndruam deri në ora 19.00, kur në një moment erdhi një nip yni nga ky fshat (Ademi) dhe na njoftoi se si duket natën e sontme do ta kalojmë të gjithë bashkë në këtë fshat. Ndaluam për pak kohë dhe ishim në pritje të ndonjë veprimi të radhës.

Deri sa qëndronim duke pritur për fatin tonë të mëtutjeshëm, bashkë me Sylejmanin dhe vëllaun tim Naimin, u larguam pak nga kolona për të parë se ç’po ndodshte në fshatin tonë. Menjëherë kuptuam se zjarr kishte ngado. Dukej se edhe shtëpitë tona nuk kishin shpëtuar, por s kishim ç’të bënim.
Gjatë kohës sa ne po qëndronim në kolonë, disa avionë të NATO-s, fluturonin pandëprerë mbi kokat tona. Ne kishim vërtetë frikë sepse mund të ndodhte që këta avion të sulmonin ushtrinë dhe paramilitarët, por kjo gjë nuk ndodhi. Si duket këta avion ishin një ëngjëll mbrojtës për ne kurse për forcat paramilitare një vërejtje.

Familja ime prej 21 anëtarësh, familja e xhaxhait Hajrush prej 20 anëtarësh dhe xhaxhait Elmi pre 15 anëtarësh, gjetëm strehë të një shoku ynë që edhe kemi lidhje familjare, Halil Sylejmani. Bashkë me ne u bashkua edhe një familje e urtë 6 anëtarëshe nga Cërnilla me kryefamiljarin Rasim Grainca. Ashtu si mundet në rrethana lufte, na vendosën në shtëpitë e tyre dhe na sistemuan si është më së miri, duke na pritur me një bujari të vërtetë, me kushtet që kishin dhe ashtu siç e kërkon tradita e mikpritjes shqiptare.
Filloi të ngrysej dhe për fatin tonë filloi të bije një shi i madh. Nuk mund të them nëse është fat i mirë apo i keq, por shiu ishte shumë I furishëm sa nuk mund të dilnim as në ballkon.

Në odën e burrave shkuan të pushojnë babai im, dy axhallarët, dhe djemtë e axhallarëve, baca Isak , Ramadani dhe Jusufi. Unë me vëllezërit e mi dhe nipin Avniu, bashkë me gratë tona dhe fëmijët u vendosëm në një dhomë tjetër. Kështu u veprua edhe me të gjithë familjarët tjerë të cilët u sistemuan si është më së miri në dhoma tjera, kurse të rinjtë në koridorin e gjerë.
Por, nata ishte e gjatë dhe nuk po gëdhinte asessi!
Cfarë do të sjellë e nesërmja?!

Rikthimi në fshat me 17 prill 1999

Sapo filloi të zbardhë agimi, të gjithë u zgjuam nga shtrati. Pak kush kishte fjetur. Të gjithë ishim në ankth duke pritur se çfarë do të ndodh me fatin tonë të nesërmen. I vetmi fshat që nuk kishte lëvizur nga shtëpitë e tyre ishte Rahovica. Kjo e bënte më të pasigurt qëndrimin e mëtutjeshëm në këtë fshat. Dy ditë më parë banorëve të këtij fshati iu kishte dhënë urdhër të braktisnin shtëpitë e tyre, por për çudi ata nuk kishin lëvizuar ende. Flitej se ishte një postbllok ushtarak në dalje të Rahovicës. Nëse do jepnin urdhër për largim nga ky fshat, ne duhej të kalonim përmes këtij postblloku.
Zonja e shtëpisë nikoqire, një grua pak në moshë, nëna e Halil Sylejmanit, një burrëreshë e vërtetë, nuk ndalej por lëvizte sa andej-këtej për të na siguruar një mëngjes të ngrohtë. Edhe pse ne kishim ushqim të përgaditur edhe për disa ditë, kjo zonjë e nderuar nuk lejoi që të përgadisim ushqimin tonë. Bashkë me vajzën e saj dhe nusen e djalit, na përgaditi mëngjesin e ngrohtë të shoqëruar me qumësht e djath. Ne ishim shumë, rreth 70 veta, por kjo nukm përbënte problem dhe as shqetësim për këtë familje bujare.
Ende binte shi, por me një ritëm të qetë. Nuk kishim ç’të bënim veç të prisnim ndonjë lajm se kur do të niseshim për rrugë. Morëm vesh se fshatin Gadime e kanë shpërngulur të gjithin dhe i kanë urdhëruar të marrin rrugën për në Shqipëri. Me ankth po presim se ndoshta edhe neve do të na përcjellë një fat i tillë.
Rreth orës 11 paradite, ndodhi befasia. U përhap lajmi se një bashkëfshatar i yni i cili ende po punon për policinë serbe si gardian burgu, paska marrë një informatë të sigurtë se banorët e fshatit Mirash mund të kthehen lirisht në shtëpitë e tyre. Nuk mund t’iu besonim fjalëve të tilla, por pavarësisht dyshimeve, u ngjall pak shpresa se edhe njeherë do të jemi në vatrat tona. Bëheshin shumë pyetje të ndryshme dhe askush nuk ishte në gjendje të jap përgjigje. Pothuajse të gjithë instinktivisht dolën nëpër rrugë dhe filluan të marrin rrugën e kthimit për në shtëpitë e tyre.

Ndërkohë erdhi te ne një bashkëvendas i yni Hali Çalaj, i cili na kërkoi mua dhe Fatmirin. Më pas aty erdhi edhe Sylejmani dhe Naimi dhe gjatë bashkëbisedimit me Halilin, kuptuam se forcat paramilitare serbe kanë djegur shumë shtëpi. Deri rreth orës 24.00 ka qëndruar në fshat bashkë me disa të tjerë dhe e kanë përcjellur situatën.

U përshëndetëm më Halilin dhe pastaj ai u nis te familjarët e tij, ndërsa në filluam të analizonim situatën momentale dhe të mendonim rikthimin.

Si shumë të tjera familje edhe ne filluam përgaditjet e menjëhershme për rikthim. Ndeza traktorin dhe e pash se është në gjendje të rregullt. Një natë më parë derisa po futeshim në oborrin e Halil Sylejmanit, na ishte këputur rripi i alternatorit dhe pa të nuk mund të lëviznim dot. Për fatin tonë, na drejtuan te familja e Krasniçëve të cilët deri me fillimin e luftës kishin një dyqan për pjesë traktorësh. Ata na siguruan një rrip të ri dhe me asnjë çmim nuk pranuan kompensim. Ishte një nder i madh për ne sepse na zgjidhën problemin në këto rrethana kritike.

Sa më shumë që po i afroheshim fshatit, aq më shumë shtohej ankthi. Unë po ngisja traktorin kurse afër meje ishte Ramadani, Naimi dhe Muhabiu. 15 anëtar tjerë ishin në rimorkio. Sapo arritëm te lagja e Gucëve, fshati dukej si pasqyrë para nesh. Kudo i shkrumbuar, ende diku-diku kishte tym të dendur. Shumë kafshë shetisnin të lira nëpër rrugë e fusha. Një fshat i shkretë dhe pa gjallëri. Nga kjo pozitë ku ishim edhe pse shumë larg, shtëpitë tona shiheshin mirë dhe dukej se i kishin shpëtuar zjarrit, por prap nuk mund të besonim. U futëm në rrugën kryesore të fshatit. Tashmë po e shihnim fare pranë kaosin që kishte ndodhur një natë më parë në fshatin tonë. Ngado që ecje shihje shumë shtëpi të djegura. Morëm informata se në lagjen e Raçëve janë djegur shumë shtëpi. Disa shtëpi të familjeve Prekadini, Hashanaj, Bibaj Leskovci, Lohaj. Gjashtë krerë lopë pronë të Abdylqerim Lohajt ishte djegur të gjalla në shtallë. Sa e dhimbshme kur i sheh në atë gjendje këto shtëpi, por edhe më e dhimbshme për familjet e dëmtuara të cilat sonte nuk kanë ku të gjejnë një strehë. Derisa po kalonim përmes fshatit, disa kuaj të harbuar gati sa nuk u përplasën mbi ne dhe për pak për të shkaktuar ndonjë tragjedi të papritur.
Kur po kalonim përballë shkollës së fshatit, vërejtëm se shtalla e kafshëve të Shukri Hashanit është goditur nga një predhë dhe më vonë vërtetuam se ishte bombë e NATO-s.

Hyjmë në oborr. Zbritëm të gjithë, por babai im edhe pse i moshuar, kishte kaluar të tetëdhjetat, nuk na lejoi të futeshim në shtëpi. Shkoi së pari vet për të kontrolluar se mos rastësisht kanë vënë ndonjë bombë nëpër shtëpi dhe pasi u sigurua se çdo gjë është në rregull, filluam të futeshim një nga një për të kontrolluar më në detaje. Asgjë nuk vërejtëm se është dëmtuar përveç dyerve të hyrjes së shtëpisë së Fatmirit që ishin thyer.

Në fshat filluan tashmë të vendoseshin shumë refugjat nga vise të tjera. Familjes sonë iu shtuan edhe 30 të zhvendosur nga Babushi i Muhaxherëve dhe Sllakovci. Një ditë më parë këto familje ishin larguar nga Gadimja ku ishin strehuar përkohësisht deri sa ishin urdhëruar që të largoheshin.

Pasdite, së bashku me nipin Zekriun dhe mikun Afrimin shkuam te familja e Ismet Lohaj për ta parë për së afërmi gjendjen e shtëpisë se tij të djegur. Gjithçka ishte shkrumbuar plotësisht, por kjo familje e mbante veten shumë të fortë. Përveç kësaj shtëpije, ishin djegur edhe 36 shtëpi të tjera.
Pasi u stabilizuam të gjithë, vërejmë se rreth orës 15.00 filluan sërish sulmet ajrore. Sulmet zgjatën rreth një orë dhe kudo dëgjoheshin detonime të rënda.

Që nga kjo natë, askush më nuk bënim rojë si deri më tani. Çuditërisht!

Bashkim Bytyçi

Kommentare