Historia e Shkollës Fillore në Mirash dhe Kundërshtimi ndaj Shkëputjes së Identitetit Shqiptar
Paralelet e ndara dhe shkolla amë në Babush
Shkolla Fillore në Mirash funksiononte si paralele e ndarë e Shkollës Fillore në Babush. Të njëjtin status kishin edhe shkollat e fshatrave Cërnillë, Surqinë, Prelez dhe Tërn.
Në shkollën amë në Babush ndodhej zyra e drejtorit, drejtoria dhe arkivi i shkollës. Dita e Shkollës festohej më 16 nëntor, dhe çdo vit organizohej një manifestim kulturor, ku merrnin pjesë nxënës nga të gjitha paralelet e ndara si dhe nga shkolla amë. Programi ishte dygjuhësh – në gjuhën shqipe dhe në atë serbokroate – dhe përfshinte gjithashtu edhe një turnir futbolli mes shkollave, në frymën e "Vëllazërim-Bashkimit".
Tensionet pas ardhjes në pushtet të Sllobodan Millosheviqit
Me ardhjen në pushtet të Sllobodan Millosheviqit në Serbi dhe pas vizitës së tij në Fushë Kosovë, në mesin e serbëve të Babushit filluan të shfaqeshin hapur ndjenja shoviniste dhe armiqësore ndaj çdo gjëje që kishte të bënte me shqiptarët. Filluan të kundërshtonin emrin e shkollës “Halit Ibishi”, drejtorin shqiptar Ali Bytyçi, si dhe nxënësit shqiptarë që vijonin mësimin nga fshatrat përreth, përfshirë Surqinën. Objekt i kundërshtimeve u bë edhe drejtori shqiptar i Shtëpisë së Kulturës, Tefik Lohaj.
Hapi i parë i fushatës kundër elementëve shqiptarë ishte ndërrimi i emrit të shkollës. Kuvendi Komunal mori vendim që shkolla të quhej "Jedinstvo", me arsyetimin se ky kishte qenë emri i mëparshëm i saj, dhe se emri "Halit Ibishi" ishte vendosur nga shqiptarët pa miratimin e komunitetit serb.
Organizimi i kundërshtimit në Mirash
Vendimi për ndërrimin e emrit u prit me indinjatë dhe u kundërshtua gjerësisht në Mirash. Unë, bashkë me Rashit Çalajn dhe Jusuf Bytyçin, u takuam në odën e babait tim për të diskutuar reagimin. Vendosëm të thërrasim një mbledhje të rinisë, për të hartuar një deklaratë publike kundërshtimi.
Mbledhja u mbajt në objektin e vjetër të shkollës. Nuk ishim më shumë se 25 veta. Por mbledhja mori peshë me pjesëmarrjen e disa të moshuarve të respektuar si Deli Bytyçi dhe Vehbi Lohaj. Fjalimi i bacit Deli na frymëzoi dhe na inkurajoi që të vazhdonim me këmbëngulje kundërshtimin.
Që nga ajo ditë, nisi një organizim i gjerë dhe i strukturuar. Mbledhjet vijonin në ndërtesën e re të shkollës, dhe tashmë ishte i gjithë fshati i mobilizuar. U vendosën kontakte e bashkëpunim me fshatrat përreth. Kështu, përfaqësues nga Cërnilla merrnin pjesë në mbledhjet tona dhe anasjelltas.
Tubimet u pasqyruan edhe në mediat e kohës. "Rilindja" botoi disa artikuj, dhe një tubim u transmetua në Televizionin e Prishtinës. Çështja e ndërrimit të emrit të shkollës u bë e njohur në mbarë Kosovën, dhe u cilësua si një nga rastet më të hapura të diskriminimit institucional.
Përfaqësues të fshatit si Deli Bytyçi, Nezir Hashani dhe Mejdi Hashani u pritën nga drejtuesit komunalë, Skënder Lamaxhema dhe Muhamet Maloku. Ata pranuan se vendimi ishte i gabuar, por këmbëngulën se duhej zbatuar.
Suspendimi i drejtorit Ali Bytyçi dhe masa e dhunshme
Drejtori Ali Bytyçi u gjend në një pozitë të vështirë: nga njëra anë ishte i detyruar të respektonte vendimin komunal, por nga ana tjetër nuk ishte dakord me të. Për këtë arsye ai u akuzua si nxitës i protestave dhe më pas u suspendua nga detyra. Në vend të tij, pushteti emëroi një "drejtori të dhunshme", të përbërë nga tre serbë dhe dy shqiptarë – për fat të keq, të dy shqiptarët ishin mësues nga vetë Mirashi: Iljaz Prekadini dhe Isuf Bajraktari.
Edhe pse u tentua të përfshihej në këtë trup edhe mësuesi Vezir Govori, ai refuzoi të bëhej pjesë e mekanizmave të pushtetit.
Pas emërimit të kësaj drejtorie, vendimi për ndërrimin e emrit të shkollës u zbatua zyrtarisht. Vulat e shkollës u ndryshuan dhe shkolla filloi të figurojë me emrin “Jedinstvo”.
Në vitin 1990, Ali Bytyçi u arrestua dhe u dënua me 60 ditë burg nga gjykata e Ferizajt, me akuzën për organizim protestash – një akt hakmarrës, pasi ai nuk kishte qenë as organizator dhe as nxitës, por thjesht një kundërshtar i vendosur i vendimit të padrejtë.
Takimi në Bashkësinë Vetëqeverisëse të Arsimit
Një delegacion nga Mirashi – Deli Bytyçi, Nezir Hashani dhe unë (Xhavit Selmani) – u prit nga Dr. Shaban Hashani, udhëheqës i Bashkësisë Vetëqeverisëse të Arsimit (sot Drejtoria e Arsimit). Edhe aty shprehëm kundërshtimin tonë, duke theksuar se Halit Ibishi ishte hero i LNÇ-së dhe ish-nxënës i shkollës në Mirash.
Dr. Hashani u pajtua se ndërrimi ishte i padrejtë, por theksoi se ndalimi i zbatimit ishte i pamundur. E vetmja rrugë, sipas tij, ishte ndarja dhe pavarësimi i shkollës së Mirashit.
Ndarja dhe emërtimi i shkollës në Mirash
Pas takimit në BVI, u takuam përsëri me Rashit Çalajn dhe Jusuf Bytyçin. Vlerësuam se ndarja nga shkolla amë ishte rruga më e mirë për të shpëtuar dinjitetin dhe identitetin tonë. Të nesërmen u ktheva te Dr. Hashani dhe e njoftova për gatishmërinë tonë për t’u pavarësuar.
Procedura e ndarjes nisi menjëherë, dhe së bashku me shkollat e tjera paralele, Mirashi vendosi të bëhej shkollë më vete.
Filloi diskutimi për emërtimin e ri të shkollës. Mësuesit propozuan emrin “Nëna Terezë”, ndërsa në një mbledhje të mbajtur në shkollën e re u dhanë edhe propozime të tjera: Xhavit Lohaj propozoi emrin “Nazim Gafurri” dhe Rashit Qalaj propozoi “Ali Hadri”. Me shumicë absolute u vendos që shkolla të merrte emrin e historianit Ali Hadri.
Pushteti komunal, i interesuar për ta mbyllur sa më shpejt këtë çështje, përshpejtoi procedurat. Më 31 gusht 1990, Jusuf Bytyçi u zgjodh drejtor i parë i Shkollës Fillore “Ali Hadri” në Mirash.
Ishte një kohë e vështirë. Drejtori Jusuf Bytyçi u përball me maltretime fizike dhe psikologjike për shkak të detyrës së tij. Mësuesit punuan me përkushtim të jashtëzakonshëm, pavarësisht vështirësive financiare, duke u mbështetur në kontributet vullnetare të komunitetit.
Kjo ishte një betejë për dinjitet, për identitet dhe për të ardhmen. Dhe Mirashi e fitoi.
Kjo është një dëshmi historike e një periudhe të dhimbshme, por edhe krenare, në të cilën një komunitet i tërë u ngrit për të mbrojtur vlerat e veta dhe të drejtën për të ekzistuar si shqiptarë në vendin e vet.
Kommentare
Kommentar veröffentlichen