Kuvendi i Rinisë dhe ringjallja kulturore në Mirash (1978)
Më 12 shkurt 1978, në një ndërtesë që shërbente si objekt i ndarë i shkollës fillore – pronë e Rexhep Lohajt – u mbajt Kuvendi zgjedhor i Lidhjes së Rinisë në Mirash. Në këtë kuvend, për kryetar të rinisë së fshatit u zgjodh Jusuf Bytyçi, atëkohë student i Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Zgjedhja e Jusufit në krye të rinisë shënoi një kthesë të madhe në organizimin kulturor dhe sportiv të fshatit.
Që në fillim të mandatit të tij, Jusufi filloi të organizojë Orë Letrare, të cilat zhvilloheshin në ambientet e shkollës apo në objektet ndihmëse të saj. Në këto orë, të rinjtë dhe nxënësit prezantonin krijimet e tyre poetike. Ndër më aktivët në fillim ishin: Jusuf Bytyçi, Gafurr Qalaj dhe Muhamet Qalaj, të cilët me poezitë e tyre nxitën interesimin e të tjerëve. Me kohë, u shtua numri i pjesëmarrësve, madje edhe ata me më pak prirje poetike përpiqeshin të paraqiteshin me ndonjë varg.
Po në të njëjtin vit, Jusufi filloi punën si mësimdhënës në shkollën fillore të fshatit, çka e rriti më tej mundësinë për veprimtari të rregullta dhe intensive, pasi prania e tij në Mirash u bë e përditshme. Nën udhëheqjen e tij, edhe brenda shkollës fillore filloi të funksionojë një Grup Letrar, që mblidhej rregullisht për orë letrare, ku nxënësit prezantonin krijimet e tyre. Ky grup u drejtua nga Bashkim Bytyçi dhe Xhavit Selmani.
Organizimi i jetës letrare nga Rinia e Mirashit u shndërrua në traditë, që më pas u vazhdua me përkushtim edhe nga gjeneratat pasuese. Kjo ringjallje kulturore përfaqëson një kapitull të ndritur në historinë e fshatit, ku përmes fjalës së shkruar dhe recituar, të rinjtë e Mirashit kultivuan ndjenjën e identitetit, krijimtarisë dhe përkatësisë.
Kommentare
Kommentar veröffentlichen