Shpërnguljet nga Toplica dhe vendosja në Mirash
Në vitet 1877–1878, Perandoria Osmane ishte në luftë me Perandorinë Ruse. Duke shfrytëzuar dobësimin e Perandorisë Osmane, Serbia dhe Mali i Zi nisën ofensivë të armatosur kundër forcave osmane, me qëllim zgjerimin e territoreve të tyre. Luftimet u zhvilluan kryesisht në trojet shqiptare të Sanxhakut të Nishit, që në atë kohë i përkisnin Vilajetit të Kosovës.
Pas fitores ruse, u organizua Kongresi i Berlinit në vitin 1878, ku fuqitë evropiane vendosën t’ia dhuronin Sanxhakun e Nishit Serbisë. Me tërheqjen e forcave osmane nga kjo zonë, Serbia ndërmori një fushatë sistematike spastrimi etnik ndaj shqiptarëve autoktonë: me dhunë, masakra, djegie fshatrash dhe dëbime masive.
Si pasojë, qindra mijëra shqiptarë u detyruan të braktisnin vendlindjet e tyre dhe të shpërnguleshin si muhaxhirë në viset e brendshme të Vilajetit të Kosovës dhe më gjerë.
Disa nga këta të dëbuar u vendosën edhe në fshatin Mirash, duke formuar trungje të reja familjare që mbijetojnë edhe sot. Shembuj të qartë janë:
-
Familja Prekadini, e ardhur nga fshati Prekedin
-
Familja Govori, nga fshati Govor
-
Familja Raçi, nga fshati Raç
-
Familja Kamenica, nga Kamenica
Këto familje, si shumë të tjera të shpërngulura nga Toplica dhe Sanxhaku i Nishit, zakonisht morën për mbiemër emrin e fshatit të tyre të origjinës – një formë e ruajtjes së kujtesës së vendlindjes së humbur.
Përveç të ardhurve nga Toplica, në Mirash u vendosën edhe familje nga rajone të tjera, duke e bërë fshatin një vendbanim me përzierje të natyrshme të trungjeve familjare shqiptare.
Shpërnguljet nga Mirashi
Ashtu siç erdhën shqiptarë në Mirash si pasojë e dhunës dhe persekutimeve, edhe nga vetë Mirashi pati shpërngulje të vazhdueshme gjatë shekullit të kaluar. Dy ishin arsyet kryesore:
-
Represioni i pushtetit serb, që nuk ndalej as në periudhat më të qeta, dhe
-
Varfëria dhe mungesa e kushteve ekonomike.
Mirashi, për shumë dekada, vuajti nga mungesa e infrastrukturës dhe investimeve. Deri në vitin 1968, nuk kishte rrjet elektrik. Përveç një shkolle fillore të hapur më 1928, fshati nuk kishte pothuajse asnjë shërbim publik.
Për këtë arsye, shumë familje u larguan. Sot, pasardhës të mirashasve i gjejmë në Ferizaj, Prishtinë, Shkup, Pojan (Shqipëri) dhe Turqi.
xhavit selmani
Kommentare
Kommentar veröffentlichen