Artistja Blerta Hashani është e lidhur fort me ambientin që e rrethon. Përthekon në simbole të ndryshme atë që sheh e ndien. Pak kohë i duhet që t’i shpërfaqë në kanavacë. Një kombinim i tekstit me imazhin është i natyrshëm për të.
Arti i saj karakterizohet nga përdorimi i shenjave që, sipas artistes 22-vjeçare, gjenden kudo. Në këtë formë zbërthen mesazhe të ndryshme në veprat e saj.
Burimi i lidhjes së saj me simbolet buron që nga fëmijëria. Në klasën e katërt në shkollën fillore “Ali Hadri” në Mirash të Ferizajt, kur Hashani nuk i kishte bërë detyrat në lëndën “Njeriu dhe natyra”, për të mos marrë minus, kishte eksperimentuar me përgjigjet e saj. Hapësirat e lëna për t’i plotësuar pyetjet i kishte mbushur me, siç i përshkruan ajo sot, “fjalë të palexueshme aty këtu me nga një shkronjë”.
Përgjigjet e pakuptimta për mësuesin e saj, ishin zanafillë e rrugës së artit që do ta ndiqte më pas, e që e shtyri të përfundonte studimet themelore për pikturë në Universitetin e Prishtinës. Atëherë, e skuqur dhe e turpëruar, Hashani ishte ulur në bankën e saj e pavetëdijshme se çfarë kishte bërë.
Ato simbole i përshkruan si diçka mistike, të palexueshme, por që për të janë estetike.
“Edhe sot vazhdoj që t’i bëj këto simbole mistike”, thotë Hashani, e cila ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive, si “Emerge” me grupin “Hap” në hapësirat e Fakultetit të Arteve në UP në vitin 2017 e një vit më vonë në Tiranë, “Ura me tri harqe” po atë vit në Tetovë, pastaj në vitin 2019 në ekspozitën kolektive “Ditët e kulturës” në Ferizaj dhe në “Bienalin Ndërkombëtar të Vizatimit”, po ashtu, në vendlindjen e saj, e të tjera.
Piktura si komunikim
“Arti, konkretisht piktura është gjuha ime, më ndihmon që të komunikoj me të tjerët”, thotë Hashani. Tregon se kur bën art ndien një lehtësi në shpirt. Nuk e kishte menduar asnjëherë se do të merrej me pikturë. Kishte synuar të bëhej automekanike. Ishte rritur me imazhin e babait të saj që punonte si automekanik dhe duke i shkuar pas në çdo punë. Por, tash si e rritur, pas u është vënë simboleve.
Dëshiron që pikturat e saj të kenë kuptim edhe kur të mbulohen nga pluhuri i viteve dhe dëshirën e parë e ka lënë anash. Edhe pse nuk ndoqi rrugën e një profesioni të pazakontë për gra në shoqërinë kosovare, thotë se në art ndjek saktësinë e një automekaniku e me syrin kreativ sigurohet që çdo vepër të jetë unike.
Alberina Haxhijaj
KOHAnet
Kommentare
Kommentar veröffentlichen