Festimi i Shën Gjergjit në Mirash



Mirashi (Foto Përparim Xhafaj)

Dita e Shën Gjergjit në Mirash – Një trashëgimi kulturore ndërbreznore

Historikisht, Dita e Shën Gjergjit është festuar në Mirash si një prej ngjarjeve më të rëndësishme kalendarike dhe kulturore të vitit. Kjo festë, e njohur në besime të ndryshme monoteiste – si Shën Gjergji për të krishterët, Hazreti Hidr për myslimanët dhe Profeti Elisha për hebrenjtë – ka qenë gjithmonë simbol i kthesës nga dimri në verë, i gjelbërimit, begatisë bujqësore dhe fillimit të punëve të reja.

Në Mirash, Shën Gjergji është festuar më 6 maj, sipas kalendarit Gregorian.

Festimi dhe kuptimi tradicional

Kjo festë nuk ka pasur të njëjtin karakter në të gjitha trojet shqiptare. Në rrethinën e Gjakovës, ku ka ndjekës të sektit bektashi, Shën Gjergji festohet përmes kurbanëve pranë tyrbeve të shehlerëve dhe dervishëve. Edhe shqiptarët në Ukrainë – ndonëse ortodoksë – e kremtojnë me therje kurbani në nder të kësaj dite.

Në Mirash, festimi ka marrë një formë të veçantë, që i përshtatet kontekstit lokal dhe traditës së trashëguar brez pas brezi.

Rituali i përgatitjeve

Dikur, Shën Gjergji ishte më shumë se një festë – ishte një ngjarje e madhe familjare dhe shoqërore. Para kësaj date, shtëpitë pastroheshin në detaje:

  • Dhomat gëlqeroheshin dhe pastronin qilimat e tepihët.

  • Dhomat, që në shumë raste ishin të shtruara me kashtë, përtëriteshin me kashtë të re, madje ndërrohej edhe kashta e jastëkëve.

  • dyer dhe stalla vendoseshin degë shelgjesh dhe lule, me kujdes që të mos prekeshin në tokë – nëse ndodhte, ato hidheshin si të papastra.

Me ujë me lule të vendosura në enë, të gjithë anëtarët e familjes laheshin simbolikisht. Tradita kërkonte që Shën Gjergji t’i gjente të gjithë të pastër.

Ushqimi dhe zakonet

  • Natën e Shën Gjergjit, për darkë përgatitej zakonisht një përshesh me bukë misri dhe qumësht.

  • Nën jastëk vendoseshin lule për fat të mbarë.

  • Të nesërmen, për drekë, përgatitej flia, ushqim tradicional simbolik në shumë raste festive.

Vizitat e vajzave te nuset

Një zakon i veçantë ishte ai i vizitës së vajzave tek nuset e reja, të cilat ishin martuar në Mirash që nga Shën Gjergji i kaluar. Vajzat, të organizuara në grupe, shëtisnin nga një shtëpi në tjetrën, duke vizituar nuset që, për këtë ditë, visheshin posaçërisht dhe "ua merrnin dorën" të gjitha vajzave vizituese. Ato ndaleshin nëpër oborre për t'u kënaqur me shoqërinë, muzikën e thjeshtë dhe atmosferën festive. Ky zakon varej edhe nga gatishmëria e familjes së nuses, ndaj herë pas here bëheshin përjashtime.

Shën Gjergji si afat ekonomik dhe social

Kjo ditë përmendej shpesh si afat për kthimin e borxheve të dhëna gjatë dimrit. Nëse dikush kishte huazuar para ose mallra, zakonisht thuhej: “Do t’i kthej në Shën Gjergj.” Po ashtu, përgatitjet për dimër – buka, drutë, rezervat – zakonisht planifikoheshin që të mjaftonin deri në Shën Gjergj. Pas kësaj date, besohej se kushtet e jetesës bëheshin më të lehta.


Sot... është ndryshe

Me kalimin e kohës, zhvillimet shoqërore, largimet nga fshati, urbanizimi dhe ndryshimet në mënyrën e jetesës kanë ndikuar që festa e Shën Gjergjit në Mirash të zbehet dhe të humbasë rëndësinë që kishte dikur. Por për shumë mirashas, kujtesa e kësaj dite mbetet e gjallë, si një pjesë e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore që meriton të ruhet dhe të dokumentohet.

xhavit selmani

Kommentare