“Albanezët” e Mirashit
Bashkëvendësit iu referohen lirshëm si “albanezë”. Por të huajve iu shtohet kureshtja për të mësuar më shumë për historinë e banorëve të lagjes. Thaqët tashmë janë mësuar dhe rrallëherë e bëjnë të madhe rrëfimin e sakrificës dhe të krenarisë, me të cilin lidhet nyjshëm çdo anëtar i farefisit. Rreth dhjetë shtëpitë e tyre ndodhen përgjatë lugut, që lëshohet teposhtë deri te krojet në zemër të fshatit Mirash të Ferizajt
“Unë jam lindë më 1937 në Fier”
Ahmet Thaqi, 82 vjeç, është më i moshuari i farefisit. Plaku kapuçzi qeshet kur pyetet për kuptimet e shprehjes “albanez”. Qeshet edhe gruaja e tij, Nefisja, e cila i rri anash në këmbë dhe e plotëson me ndonjë të dhënë të përcjellë prej nënës së Ahmetit.
“Unë jam lindë më 1937 në Fier”, thekson Ahmet Thaqi. “Nuk kam pasë ma shumë se shtatë-tetë vjet kur jemi kthy në katun më 1944”, shton ai. Mundohet të nxirret për pavendosmërinë e tij, sepse “vallahi janë ba do vjet”, shkruan Koha Ditore.
“Nana vetë thojke se ky i ka pasë katër vjet kur janë kthy”, e ndihmon plaka. Krejt plotësimet i shton me mirësjellje e me qeshje. Në duar e mban për disa minuta tabakanë me një gotë lëngu të dredhëzës para se t’ia shërbejë plakut ulur në karrige. Ai, me dorën e djathtë mbështetet për bastuni kur shtyn trupi përpara sa herë është më i sigurt për të dhënat e farefisit. Gjatë krejt bashkëbisedimit, nuk e pi as edhe një gllënjkë të vetme lëngu.
“Veç, ngo, fshati e ka pasë emrin Pojan. I thojshin kënetë, këneta e Fierit. Krejt Fusha e Myzeqesë ish kanë qashtu”, thotë Thaqi, në oborrin e mbushur me pata. “Eh, pata nashta na ka mbetë prej atje me majtë. Ngo, edhe atij venit ku jemi kanë, i thojshin Fusha e patave”.
Nefisja qeshet përsëri.
Të dytë janë të sigurt se Thaqët ishin shtrënguar nga regjimi i Jugosllavisë së kralit – sikurse i referohen Mbretërisë Serbe, Kroate dhe Sllovene – të zhvendoseshin më 1927 në Shqipëri. “Qatëherë, ‘shkitë’ e kishin pasë përzanë babën me vllazni e mixhallarë. Na, me pranu ‘shkuan’ hiç, edhe kishin pasë thanë; ‘Hajde ikim në Shipni’”. Thaqi thotë se në rrethinën e Fierit ishin vendosur edhe shumë familje të tjera të shqiptarëve të dëbuar nga Kosova. Jetonin nëpër kasolle të ndërtuara me duart e tyre. Qeveria shqiptare u kishte dhuruar bagëti sa për të mbetur gjallë në kohën kur vetë popullsia e atjeshme po përballej me mjerim të madh.
Planet e shfarosjes
Skënder Lutfiu, hulumtues në institutin e historisë, “Ali Hadri”, ka mbrojtur para dy javësh tezën e doktoratës për marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave ndërmjet dy luftërave botërore. Në kapitullin për çështjen e të dëbuarve nga Kosova në Shqipëri dhe ndikimin e tyre në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, shkruan se shpërngulja e shqiptarëve nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare në Jugosllavi filloi më 1912, kur u pushtuan nga ushtria serbo-malazeze. Por, tregon ai, dëbimi me dhunë pati intensitet më të madh ndërmjet dy luftërave botërore.
“Shpërngulja e popullsisë shqiptare bëhet me të njëjtat motive dhe nga aktorë të njëjtë. Këto shpërngulje organizoheshin në vazhdimësi, në mënyrë institucionale, pasi zbatoheshin programet shtetërore serbe, që kishin për qëllim realizimin e saj”, shkruan Lutfiu, duke përmendur në mënyrë kronologjike programet, si Naçertania (1844) e Ilia Garashaninit, Programi për spastrimin e qyteteve të Shumadisë (1862); Programi për depërtim në det (1881); Programet për spastrimin e trojeve shqiptare (1902 dhe 1920); Elaborati i Klubit Kulturor Serb në krye Vaso Çubrilloviqin (1937) dhe Elaborati i Ivo Andriqit për pushtimin e Shqipërisë (1939). Njëherësh synohej kolonizimi i Kosovës me serbë e malazias.
Dokumente arkivore, që i ka hulumtuar Lutfiu, tregojnë se shqiptarët, më me dëshirë shpërnguleshin në Shqipëri, por autoritetet jugosllave bënin çmos që ta pengonin vendosjen e tyre atje. Beogradi zyrtar synonte t’i dëbonte drejt Turqisë.
Në një informatë të Ministrisë së Jashtme jugosllave, dërguar konsullatës së përgjithshme të Mbretërisë Jugosllave në Stamboll, thuhej: “Edhe pse shqiptarët kishin më shumë dëshirë që të shpërnguleshin në Shqipëri, kjo po haste në vështirësi për faktin se konsullata shqiptare në Beograd nuk po i pajiste me viza. [...], kjo pengesë po bëhej, pjesërisht për arsye financiare e pjesërisht për arsye politike e nacionaliste”.
“Por, një arsye tjetër që dëbimi i shqiptarëve në Turqi është më i preferuar për jugosllavët, ishte për shkak të largësisë dhe kësisoj pamundësisë për t’u rikthyer në vendlindjen e tyre”, shkruan ai.
Dhe për shkaqe të ndryshme, sidomos kombëtare, edhe shumë veprimtarë e luftëtarë që e kishin luftuar pushtuesin do të arratiseshin me familje në Shqipëri, duke u vendosur kryesisht në rrethin e Kukësit, Durrësit, Shkodrës, Fushë-Krujës, Fierit dhe Tiranës.
Familje të njohura, si ajo e Sadik Ramë Gjurgjevikut, e Ymer Devetakut, pastaj Shotë Galica dhe bashkëluftëtarë të tjerë të Azem Bejtës, pas qëndrimit disamujor në Turqi, do të niseshin nga Stambolli nëpërmjet rrugëve drejt Shqipërisë.
“Edhe sot, Fieri e Durrësi janë plot me shqiptarë të Kosovës”, thotë Thaqi. “Dje kam folë me dajtë ...”, i lidhen fjalët në grykë. “....se vallahi u ba merak mas tërmeti. Po, shnosh e mirë ishin”.
“Po kthehemi në Kosovë”
Edhe Gashët nga Jezerci i Ferizajt do të vendoseshin në afërsi të nipave e mbesave në Shqipërinë Jugore. Fitorja e aleatëve kundër nazifashistëve ishte parë si çlirim për shumicën e Evropës. Kështu kishin besuar edhe Thaqët e Gashët. “Pleqtë tanë ishin pasë gëzu shumë, edhe thonë: ‘Po kthehemi në Kosovë’”, tregon Thaqi. “Kanë menu se këtu u ba mirë”, e plotëson përsëri plaka me shami.
Do të kalonin fusha e male nëpër rrugën e vjetër nëpër gryka lumenjsh e gremina për t’u kthyer në tokën e të parëve. “Bile nanës iu kish pasë ba marak që pllugu që e kishin pas marrë me vete, ia kish pasë shky ni jorgan”, tregon ai. Do të ktheheshin edhe dajallarët. Por Qeveria komuniste e Tiranës i kërkoi Jugosllavisë së Titos kthimin e Gashëve, sepse kishin shtetësi të Shqipërisë. Thaqi nuk i pa dajallarët gjatë regjimit enverist. Në vizitë u shkoi vetëm pas luftës. Por mjeti i vjetër i punës ia kujton fëmijërinë në Pojanën e Fierit.
“Hala e kam atë pllug t’Shipnisë”, shton ai. Menjëherë kthen kokën kah gruaja: “Ku e kanë lanë?”. “Vallahi, ti njeri, ku pe di ku e lanë djemtë”, thotë si e zënë ngushtë plaka. “Nashta në tavan diku”.
“Jo me hup është kallaj, veç me gjetë sun e gjanë ma”, ia kthen plaku me ton shumë serioz. Ndërkohë tregon se si një prej të afërmve të tij ka nxjerrë disa dokumente në Fier, që dëshmojnë lidhjen e farefisit me Shqipërinë ndërmjet dy luftërave botërore.
Thaqët do të nisnin gjithçka nga zeroja me t’u kthyer në trojet e vjetra. “E patëm maru ni shpi me qerpiç. Bile as oxhak s’ka pasë. Këtu ku jemi kanë, këtu e marum prapë. A do tokë na e kishin pas zanë katuni”.
Dhe prej atëherë, mirashasit do t’u referohen bashkëvendësve me “albanezë”. “Edhe ia kishin pasë nisë: ‘Ku po shkon? Te albanezt’. Albanezë, albanezë na qujshin. Hala tek-tuk, albanezë na thonë”.
“Nuk e di pse, po qashtu po na thonë; albanezë, albanezë”, shton plaka. Si përherë, me qeshje. Plaku me ulje-ngritje koke, ia aprovon fjalët.
“Shiptari” dhe “albanci”
Historiani Ilir Bytyçi thotë se Klaudio Ptolomeu, i cili jetoi në shekullin e dytë, ishte dijetari i parë i antikitetit që përmendi fisin ilir të albanëve, të cilët jetonin në rrethinën e Durrësit të sotëm. “Kryeqendra e tyre ishte Albanopoli (Zgërdheshin i Krujës). Fisi i albanëve ua dha emrin e vet shqiptarëve gjatë mesjetës së hershme, kur ata njihen me emrat si arbër dhe albanë; me këtë emër edhe sot na njeh e gjithë bota, albanë dhe albani”, thotë ai.
Thaqi nuk ndihej mirë kur me “albanci” i drejtoheshin eprorët serbë në Ushtrinë e Jugosllavisë së Titos vetëm pse ishte lindur në Shqipëri. Mendon se kështu i ndanin shqiptarët në “albanci” të Shqipërisë së sotme dhe “shiptari”, shqiptarët e mbetur nën Jugosllavi.
Bytyçi thotë se kjo qasje lidhej me planin e Naçertanijes, i cili parashihte që Serbia e Madhe të krijohej në tokat shqiptare. “Andaj kjo bëri që ky term fyes të bëhej pjesë e retorikës nacionaliste serbe, që kishte për qëllim të etiketonte popullin shqiptar me dy terme; i pari ‘shiptari’ dhe ‘albanci’”, thotë ai. “Kjo natyrisht kishte për qëllim të fyente qytetërimin dhe të kaluarën historike të popullit shqiptar në trevat e veta autoktone. Termi 'shiptar' konsiderohet politikisht jokorrekt dhe me përmbajtje fyese në gjuhën serbe për pjesëtarët e nacionalitetit shqiptar, të cilët jetojnë në Kosovë”.
Dhe si rezultat i politikës së dhunës, plaçkitjes, djegies e persekutimeve ndërmjet dy luftërave botërore, më shumë se 240 mijë shqiptarë nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare në Jugosllavi u dëbuan drejt Shqipërisë, Turqisë dhe shteteve të tjera – deri në SHBA, shkruan Lutfiu në përfundim të kapitullit për dëbimet e organizuara nga regjimi i atëhershëm. “Por, ka të dhëna se ky numër mund të jetë shumë më i madh, ngase statistikat nuk janë reale në paraqitjen e numrit total të të shpërngulurve”.
Kommentare
Kommentar veröffentlichen