Vajtimi i Burrave (për Veteranin Njazi Bytyçi)

Hisen Berisha



(...fëmijët qanin mbi varrin e tij, ...po ka me na gjykua vaji i jetimëve, ...druaj Kosova kurrë ditë s’ka me pa)
Vite më parë e kisha gjykuar si të pa denjë “VAJTIMIN E BURRAVE” në trevën e Malsisë, Pukës e të Mirditës.






Sot, e shtunë datë 10 qershor 2017, u varros luftetari i lirisë, veterani invalid i Luftës së Koshares, Njazi Bytyqi nga fshati Mirash i Komunës së Ferizajt.

Vajtova, por jo si burrat e trevës së Malsisë, por si qyqar!

Sot më qau zemra, kur përjetova vdekjen e një bashkëluftëtari dhe vëllai të armës.
Jo se nuk e kuptoj vdekjen si proces dhe një moment që e përcakton Zoti se kur do të ndodhë e si do të ndodhë, se për ketë u binda në luftë, por ngase kjo vdekje ishte mizore.

Kjo vdekje e la një familje pa kujdestarin e tyre Babën. I la këta fëmijë në pamëshirën e Atyre apo Neve që nuk patëm mëshirë për ketë luftëtar sa ishte gjallë e kishte nevojë për Ne, si bashkëluftëtarë, komandant, pushtetarë, qeveritarë e deputet të Tij.

Kjo vdekje na tregoi se sa të vegjël e të mjerë jemi, që nga i pari i shtetit e deri te i fundit qytetarë i këtij vendi.

Kjo vdekje na shpërfytyroi të gjithëve, në të gjitha nivelet dhe kategoritë shoqërore, komandant, kryetar komune e pushtetar lokal, ministra e deputet, pushtetarë e qeveritarë.

Kjo vdekje demantoi të gjithë ata që për disa ditë rresht u munduan dhe ja arritën të na bindin se sa shumë kanë bërë për të gjitha kategoritë e shoqërisë e me theks për kategorinë e luftëtarëve; Të atyre që kur kishte nevojë atdheu për ta, e ofruan veten dhe e dhanë jetën, nëse Zoti i bekoj ta japin atë si dëshmorë. Por, disave na mallkoj të jetojmë pas vdekjes në lirinë e poshtëruar nga pushtetarët, e të ndjejmë çdo ditë se sa të vegjël jemi mbetë dhe sa të pa denjë për respektin qytetarë jemi.

Kjo vdekje ishte një pasqyrë ku e shihnim vetën Ne bashkëluftëtarët se sa egoiste jemi bërë si pasoj e sindromit të Vietnamit që pas 10 vjetshit paslufte veç po jep efektet e tija;

Kjo vdekje ishte pasqyrë ku deputetët e kandidatet, për deputet e panë veten se sa të padenje janë të kërkojnë votën e qytetarit e bashkëluftëtarit, për ti harruar ata se ekzistojnë më pastaj; se sa të pa ndërgjegjshëm janë dhe jonjerëzor kur iu vijnë edhe në ditën e vdekjes tragjike dhe varrimit tragjik, me makina të shtrenjta që secila do të ishte masë e mjaftueshme për t’ia ndihmuar të shëronte plagët e luftës e të mos e sillnin në situatë që ti marr jetën vetës në mënyrë aq tragjike.

Kjo vdekje ishte pasqyra më e tmerrshme kur pushtetarët lokal, Kryetar Komune e administrator tjerë të ndjenin brejtjen e ndërgjegjes, nëse e kanë, që nuk sakrifikuan pak, shumë pak mjete me të cilat do t’ia kishin mundësuar këtij çlirimtari të ndjere tanimë, që të shërohej nga plagët e luftës, dhembjet e të cilave i mundte me qetësues medikal trodon e morfinë.

Çlirimtari tani me i ndjerë dhe familja e tij, jo njëherë e kishin kërkuar këtë ndihmë. Por ajo s’iu dha sepse nuk përbënte interes as fuqi që do e detyronte në respekt institucional pushtetin lokal për ti aradhe në ndihmë. Veç makina e suita e tyre që përdoren në një ditë do të ishte masë e mjaftueshme qe ai të ishte në mesin e fëmijëve të tij.

Ky varrim ishte pasqyra më tragjike dhe e turpshme ku tregohej (mos) kujdesi e përkushtimi institucional ndaj vlerave të luftës, (mos) kujdesi institucional shëndetësor e social. Paturpësia e të gjithë atyre që pushtetojnë me këtë vend në emër të gjakut e sakrificës së luftëtarëve dhe dëshmorëve të lirisë. Amoraliteti dhe mungesa e integriteti të atyre që në fushata mashtruese e të gënjeshtërta elektorale dilnin përtej kufijve të paturpësisë dhe bënin koalicione anti luftëtarë dhe deshifronin shkronjat e arta, që në shekullin që lamë, na e dhanë një pikë identiteti e dinjiteti, UÇK në trajta fyese që nuk mund ti imagjinonin as ish armiqtë tanë në vet Serbi.

Ishte ky varrim që i demantoi fjalët e tyre e premtimet pa fije sedre e dinjiteti, plot hipokrizi dhe paskrupullsi, ishte ky varrim dhe tragjedi që tregoi se vetëm një ditë e luksit të tyre e mos të flasim një heqje dorë nga punët korruptive , do të ishte tejet e mjaftueshme që sot ky çlirimtar, tani me i ndjerë, të ishte në mesin e fëmijëve të tij i lumtur që po i rritë në Kosovën për të cilën e dha jetën njëherë kur ajo iu kërkua.

Ky varrim ishte pasqyra më tragjike dhe e turpshme që shpërfaqi edhe fytyrën e vërtetë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të përkujdesit social, që nuk gjetën fonde për këtë çlirimtar, tani më të ndjerë dhe ta dërgonte në shërim jashtë vendit;
Kjo shpërfaqi karakter kriminal ie denigrues ndaj qytetarëve dhe pabarazinë në trajtimin e tyre nga pozita shoqërore; kjo ministri tregoi pafytyrësinë e sajë duke mos e mbështetë shërimin e tij jashtë vendi në mungese fondesh, në një kohë kur ndante fonde për të fortit e pushtetarët milioner që ti shëronte nga sëmundjet që u erdhën si rezultat i obezitetit duke ngrënë djersën e qytetarëve të vendit; e sot me paturpësinë më të madhe prape kërkojnë votën e familjes së këtij të ndjeri;
Kjo vdekje është pasqyra më ë turpshme e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe mjekëve nëpër duart e të cilëve kaloi ky çlirimtarë tani me I ndjerë dhe eksperimentohej mbi trupin e tij njëjtë siç bënin 1998 mjekët serb mbi trupin e Yll Morinës në po ketë të njëjtë QKUK.

Për asnjë moment nuk patën as ndjenjën me te vogël të humanitetit e betimin hipokrit të HIPOKRATIT, qe të rekomandonin me forcë dërgimin e tij për shërim jashtë vendit, sepse po e vlerësonin me paaftësinë dhe pamundësinë teknike e profesionale ta ndihmonin aty.

Kjo po që përbën detyre Zyrtare për prokurorin e shteti që të hetoj, nëse janë bërë të gjitha përpjekjet e domosdoshme që të shpëtohet jeta e këtij luftëtari çlirimtarë tashmë të ndjerë.
Kjo po që përbën element hetimi e penalizmi për avokatin e popullit nëse është i tillë, që të nxis hetime rreth asaj nëse janë ndërmarrë masat e domosdoshme për shërimin e dhe shpëtimin e këtij çlirimtari;
Kjo po që përbën pretekst që sikur ky popull të kishte ZOT dhe besim në vlerat hyjnore , të bojkotonte të tërë procesin zgjedhorë dhe ti thoshte përmes bojkotit JO, strukturave që po kriminalizojnë këtë popull.

Sot, ishte hera e parë që nuk gjeta kurajo as forcë të jem pjesë e ceremonisë së varrimit të një bashkëluftëtari, e që isha bashkëluftëtarë ne vijën e frontit deri sa u plagos dhe gjak i trupit të tijë me mbeti edhe ne duart e uniformen time ato ditë të frontit. Sot nuk isha I denjë të jem ne varrimin e tije se u ndjeva fajtorë pse unë se kam ditur se në ç'gjendje realisht ishte ai. E këtë u dashtë ta dinim Ne që dikur ndamë luftën, jetën, vdekjen dhe u skuqem me gjakun e njeri tjetrit.
O Zot, qoje mallkimin tënd mbi të gjithë Ne nga i pari i këtij shteti, të çdo pushtetar e anëtar i pushtetit publik e deri te secili epror e komandat, qe nuk bëmë atë që duhej, që ky luftëtarë të ishte i gjallë. Që sot të mos shihnim fëmijët e tije se si qanin e rënkonin mbi trupin e tij të vdekur e mbi varrin e tij të varfër.

O Zot, si i durove të gjithë ata njerëz që e kishin detyrim ta ndihmonin të jetonte i lumtur e krenar në familjen e tij, të qëndronin pran varrit të tij, të varnin turinjtë sikur po u rrënohej toka nen këmbë nga mërzia, e defilonin që të dukeshin sa më shumë e të mbaheshin në mend për t’iu dhëne ndonjë votë nesër në ditën e votimit.
Mallkim mbi të gjithë Ne mëkatarët e shpirtit të luftëtarit çlirimtarë tani me i ndjerë.

Kommentare