Më shumë se pikëllim...(për Njazi Bytyçin)

Sulejman Dërmaku 














Sot u pikëllova shumë. Me zemër të thyer mora pjesë në një varrim në fshatin Mirash të Ferizajt. U varros Njazi Bytyçi nga ky fshat.

Njaziun nuk e kam njohur, por ndjeva obligim moral t'i bëja nderimet e fundit një luftëtari të lirisë. Ai paskësh qenë i plagosur në Luftën e Koshares. Tërë këto vite të lirisë qenkësh torturuar me telashe shëndetësore. Ato ekonomike e strehimore, plus!! Dhe, ditën e djeshme, duket në kulmin e zhgënjimit, i paskësh dhënë fund jetës. 

Në varrim u mbajtën dhe fjalime. Një i moshuar, që nuk po mund të qëndronte në këmbë, ishte ulur këmbëkryq në bar dhe, pa iu drejtuar askujt, por edhe gjithkujt, njëherësh (edhe mua, gjithsesi!), komentoi: "Sa qe gjallë, nuk e njohët!!!" 



Kommentare