Punët për autostradën e re Prishtinë-Shkup do të fillojnë nga fundi i muajit mars, por edhe shpronësimi i tokave private do të nisë së shpejti. Tashmë në gazetën zyrtare janë publikuar edhe emrat e pronarëve të cilëve do t'u shpronësohen tokat, por ata kanë hall për bukën e gojës.
Kjo autostradë fillimisht pritet të kalojë nëpër fshatrat Babushi i Serbëve, Cerrnillë, Mirash, Surqinë Rahovicë, Papaz, Sazli e më pas në pjesën e dytë pritet të ketë shpronësime në fshatrat Bibaj Komogllavë, Gurëz dhe Rakaj të komunës së Ferizajt.
Pjesa më e madhe e sipërfaqes prej më shumë se 150 hektarëve është tokë bujqësore, prandaj brengat e banorëve kanë të bëjnë me humbjen e kësaj toke. Këto shqetësime ata i kanë shprehur edhe në një takim që e kanë pasur me zyrtarë të. Ministrisë së Planifikimit Hapësinor.
"Zotërinj mos e shkelni bujkun, se ai i ka sytë tek ju çka po i ofroni. Ju ia merrni tokën e grurit, me këtë po ia merrni bukën, sepse edhe nëse i paguani 3 mijë euro toka po i humb, nuk do t'i kthehet më. Ne të gjithë e përqafojmë interesin nacional, por ta dimë sa e ka hakun toka, e mos të mbetet me gjykata e me gjëra të tilla që na nxjerrin probleme në të ardhmen. Unë dua ta di çmimin sot sa më paguhet, se unë gjykatës nuk i besoj. Dua ta di tash e jo pasi të ma marrësh tokën", ka thënë Mehmet Grainca, banor i fshatit Cërrnillë. Të këtij mendimi ishin edhe banorët e tjerë të këtyre fshatrave, duke bërë thirrje që interesi nacional i tokës të barazohet edhe me dëmshpërblimin që do t'u jepet këtyre bujqve.
"Ju shteti prapë do të përfitoni, sepse në të ardhmen autostrada do të bëhet me pagesë, sikurse që janë edhe rajon, shembull ajo në Maqedoni, ku bëhet me pagesë, sikurse që janë edhe në rajon, shembull ajo në Maqedoni, ku paguan 1 euro në çdo hyrjedalje, por toka jonë më nuk do të paguhet, veç kësaj here, toka ime dhe e krejt këtyre këtu. Prandaj, po e them se ju jeni fitues të shumëfishtë, shteti ka benefit prej kësaj, por ne po e humbim tokën përgjithmonë", ka thënë Sali Gjikovci. Por, Servet Spahiu, drejtor Departamentit për Shpronësim në Ministrinë për Planifikim Hapësinor, ka thënë se çmimin do ta caktojë Ministria e Financave në bazë të vlerës reale të tregut.
"Me ligj është e autorizuar që veç ajo ministri me bërë vlerësimin e pronave, atyre u ka shkuar dokumentacioni komplet, vlerësimin e bëjnë ekspertët, që janë të licencuar. Ata kanë me dalë në terren me pa secilën pronë individualisht. Vlerësimi bëhet në bazë të vlerës së pronës e jo në bazë të klasave, e që është pozitive për banorët sepse e tregon vlerën sa është në treg ajo pronë", ka thënë Spahiu.
Zyrtarët për shpronësim ua kanë shpjeguar banorëve që pas vlerësimit përfundimtar do të dihet edhe vlera e çmimit, ngase tani nuk mund të dihet, sepse secila pronë do të vlerësohet individualisht. Komisioni i Ministrisë së Planifikimit Hapësinor u ka bërë thirrje qytetarëve Ferizajas që ta lajmërojnë ministrinë përkatëse apo Komunën e Ferizajt për çfarëdo mosmarrëveshje pronësore që mund të kenë me shitblerjen e tokave para se të bëhet shpronësimi sepse mjetet do të derdhen në xhirollogarinë e personave që figurojnë si pronarë të parcelave përkatëse.
(marrë nga "Ferma Ime")
Kommentare
Kommentar veröffentlichen