Motra sakrifikon për nderin e familjes


Gazeta "Express"  02.01.2014

Hasimja, historia e femrës që jeton mes së vërtetës dhe legjendës.

Gjakmarrja ishte një plagë e rëndë në mesin e popullit tonë. Edhe pse personazhi i tregimit tonë është një femër, që vendosi të hakmerrej në vend se të falte, Hasimja, që këndohet nëpër këngë, flet për kurajën femërore, duke kryer një akt, që ishte “detyrë” ekskluzive e burrave.

Për Hasimen e Mirashit të Ferizajt sot këndohet edhe këngë. Ajo ka mbetur përjetë pjesë e historisë së këtij vendi, shpeshherë duke u parë edhe si legjendë historia dhe jeta e saj, megjithëse gjithçka ndodhi me të vërtetë, dhe kjo jo më shumë se rreth 100 vjet më parë. Ajo njihet si femra që u bë kurban për familjen. Ndërsa jeta e saj dhe peripecitë nëpër të cilat kaloi u bënë frymëzim për artistë, shkrimtarë e gazetarë, të cilët sot jetën e Hasimes e tregojnë në vargje kënge, tregime e romane, por edhe në reportazhe, siç po bëjmë edhe ne, shkruan Kosova Sot.

Rënia në gjak dhe betimi i Hasimes

Tregohet se Hasimes, e cila vinte nga Mirashi, një fshat në Komunën e Ferizajt, ia vrasin dy vëllezërit, duke mos i lënë meshkuj në familje, pasi babai i kishte vdekur që më parë. Atëbotë Hasimja kish pas qenë kthyer në shtëpinë e të atit në Mirash. Para se të kthehej, Hasimja kishte qenë e martuar në fshatin Akllap, por ishte kthyer në gjini, pasi burri i saj kishte shkuar në luftë dhe nuk ishte kthyer për rreth 9 vjet. Në fshatin Akllap, Hasimja lë djalin e saj të vetëm Rexhepin, i cili thuhet se nuk ishte martuar kurrë dhe kishte vdekur krejt vonë, rreth moshës 70-vjeçare. Siç edhe thamë, me t’u kthyer në gjini, Hasimes ia fikin oxhakun e shtëpisë së babës, duke ia vrarë dy vëllezërit e vetëm. Ajo betohet në hakmarrje. Betimi i saj s’ishte i zakonshëm. Aq thellë kishte depërtuar pikëllimi për vëllezërit e vrarë, sa Hasimja s’shihte rrugëzgjidhje pos hakmarrjes. Ajo kish pas thënë: “Kush merr hakun, do t’ia fali krejt çka kam, tokë, dhen e dhi, edhe unë do t’bahem niqahu i tij”. Siç tregohet në këngë, një njeri nga fshati Begracë i Kaçanikut, Halil Begraca (Lila) kishte pranuar të marrë hakun për Hasimen në këmbim të pasurisë dhe martesës me Hasimen. Por, pushka nuk krisi. Haku nuk merret. Thuhet se Hasimja kishte pritur mbi tri vjet në shtëpinë e Lilës, por ai prapëseprapë s’kishte marrë hakun, por turpërisht e kishte tradhtuar Hasimen, duke ia sjellë hasmin në konak me shpresë se mos do ta pajtonte. Tradhtia e Lilës në këngë këndohet me vargjet: “Prit me muj, e prit me vjet, pushka e Lilës s’po kërset”.

Marrja e hakut dhe dorëzimi në polici

Meqë Lila e kishte tradhtuar, duke ia sjellë armikun në shtëpi, Hasimja ik nga shtëpia e Lilës veshur me rroba mashkulli. Ajo kalon nga fshati Begracë në fshatin Kaçanik i Vjetër, pastaj Gërlicë, Komogllavë, Sojevë, për të arritur krejt e këputur në Ferizaj, prej ku pastaj shkon drejt e në Mirash. Në Mirash shkon drejt e te dera e hasmit. Aty thërret te dera e shtëpisë, e një zë plake e pyet se kush është. Hasimja i thotë se po më duhen meshkujt, dhe e pyet se ku janë. Plaka i tregon se meshkujt kanë dalë te lama. Hasimja niset drejt e te lama, ku takon meshkujt nga shtëpia e hasmit. Aty, pasi ndërron dy –tri fjalë, u ofron duhan, duke e nxjerrë kutinë me dorën e majtë, ndërsa me dorën e djathtë nxjerr alltinë për t’i vrarë dy nga meshkujt e shtëpisë së hasmit, Xhemën dhe Sejdiun. Fjalët e fundit të Xhemës tregojnë se ai e kuptoi se kush ishte dorasi, ndërsa në atë moment Hasimja i thotë se po lufton për vëllezërit e saj. Nisja e Hasimes për ta marrë gjakun në këngë përshkruhet kështu:

“Po ban Xhema haj medet për mue
Me ditë t’sodit haj paskem marue
S’ish kanë burrë o, po ish kanë grue
E Hasimja o ç’naj ka kallxue
O për vllaznit e mi, unë more kam luftue”

Pas aktit kriminal, Hasmija shkon dhe dorëzohet në polici, në stacionin e Ferizajt. Pas daljes në Gjykatë, për krimin që kishte kryer, Hasmija dënohet me 15 vjet burgim.

Dalja nga burgu dhe ikja nga atdheu përgjithmonë

Megjithëse në këngë historia e Hasimes përfundon me marrjen e hakut, në jetën reale historia e saj vazhdon me përplot peripeci të jashtëzakonshme, disa prej të cilave do t’i tregojmë këtu për herë të parë, pasi s’janë përmendur kurrë më herët. Si e dënuar me 15 vjet, Hasmija vuante dënimin e saj në burgun e Nishit. Meqë ishte mrekullisht e bukur, bukuria e saj kishte përhumbur krejt një gardian burgu, i cili edhe i vardiset. Si shqiptare e denjë dhe me moral të lartë, Hasimja nuk lejon kurrsesi ta poshtërojë veten dhe, në një rast, kur i vardiset gardiani, ajo e godet në kokë me një shufër metalike, për ta lënë të vdekur në vend. Për këtë krim të dytë, Hasimes i dyfishohet dënimi, pra merr 15 vjet më shumë për t’i bërë krejt 30 vjet dënim me burg. Bukurisë së Hasimes nuk mund t’i rezistonte as gardiani i dytë që vjen në atë burg. Por, meqë kishte dëgjuar fatin e atij të mëparshmit, me një diplomaci, ky i dyti i kishte propozuar martesë në këmbim të lirimit të menjëhershëm. Në fillim, Hasimja kurrsesi nuk e kishte pranuar ofertën e gardianit. Por, kur gardiani i kishte kujtuar se për 30 vjet ajo do të qëndronte në atë burg dhe nuk dihet nëse do të dilte gjallë ose jo, Hasimja kishte pranuar, por me një kusht. E vetëdijshme se po bënte mëkatin më të madh në jetë, po martohej me armikun më të madh që kishte, Hasimja i kishte kërkuar gardianit që në këmbim të martesës me të, të mos e kthente kurrë në Kosovë. “Mëkatin që po bëj unë, martesën me një shka, nuk ma fal tokë e Kosovës. Prandaj, as nuk dua kurrë më këmbë e imja e ndytë të shkelë në tokën e pastër të Kosovës”, kishte thënë Hasimja. Ndërsa, edhe pse ende ishte gjallë, në Kosovë historia e Hasimes ishte bërë këngë.

Takimi me bashkëvendësit në parkun e Nishit

Më vonë, nga kosovarët që shkonin të punonin në Serbi në vitet 40-50, tregohet se në qytetin e Nishit kishin pas shkuar dy persona nga Ferizaj, njëri nga fshati Zaskok dhe tjetri nga fshati Pleshinë. Duke pushuar në parkun e qytetit, pasi i kishte dëgjuar duke folur shqip, atyre u afrohet një zonjë dhe i pyet se nga janë. Ata i tregojnë se janë nga dy fshatra të Ferizajt. Zonja i pyet se a kanë dëgjuar për një grua me emrin Hasime. “Kemi dëgjuar po si jo”, po thotë njëri prej tyre. “Madje, edhe këngën ia di”, i thotë tjetri, dhe ia nis ta këndojë. Gjersa këndohej kënga, zonjës fillojnë t’i dalin lotët, për çka preken dy burrat. “Pse po qan?”- e pyesin ata. “Këtë këngë që po këndoni, kjo Hasimja jam unë”, u kish pas thënë zonja dhe ishte ulur aty me bashkëvendësit, ku ua kishte treguar gjithë historinë e saj. “Pse nuk je kthyer?” s’e kishin pas lënë pa e pyetur ata. “Në Kosovë s’mund të kthehem kurrë, pasi kam bërë mëkatin më të madh në jetë, jam martuar me një shka”, u kish pas thënë Hasimja. Ndoshta edhe do të ketë pasur të drejtë. Tokë e atdheut nuk pranon këmbë të tradhtarit, këmbë të ndyrë në llumin e tradhtisë dhe lidhjes kurorë me armikun. Hasimja e kishte kuptuar mirë këtë dhe, morali i saj ishte aq i lartë sa ajo pranoi të bëjë një mëkat të tillë, duke e dënuar njëkohësisht veten për të humbur atdheun.


Kommentare