Një nga rastet e gjakmarrjes së motrës për
vëllanë
Hasime Mirashi është një personazh i
rëndësishëm i memories tonë kombëtare
Hasime Mirashi mori gjakun
sipas traditës, sipas kanunit të Lekë Dukagjinit. Duke qenë bijë e një
familjeje të varfër dhe të keqtrajtuar gjatë tërë jetës, ajo doemos se ishte
edukuar në frymë të hakmarrjes. Ndjenja e gjakmarrjes i fuqizohet me rastin kur ia vrasin dy vëllezër, meqë nuk kishte mashkull tjetër
në shtëpi, i cili do ta merrte gjakun. Për ta vënë në jetë synimin e saj,
pranon ta humbasë edhe rininë. Martohet me një burrë, që ishte shumë më i
moshuar dhe që kishte shumë gra të tjera në haremin e tij. Në kohën kur ishte
bindur se burri, por edhe daja i saj e
kishin gënjyer, ajo kishte vendosur ta merrte gjakun për vëllezërit, duke qenë
po ashtu e vetëdijshme se po e humbiste edhe ardhmërinë.
Elementi qenësor që e ka
ngulitur thellë në memorien e kombit veprën e Hasimes, është vrasja nga ana e
saj e përdhunuesit, gardianit serb në qelinë e burgut të Nishit. Ishte kjo një
mbrojtje brilante e nderit, e një femre shqiptare, e cila nuk iu kishte
nënshtruar fatit dhe nuk kishte pranuar të luajnë me nderin e saj derisa të
ishte gjallë, edhe pse ishte dënuar me burg të rëndë dhe atje do të qëndronte për një kohë të gjatë.
Janë krejtësisht të
paqëndrueshme përgojimet e armiqve të saj, që kanë përhapur gënjeshtra se ajo
ishte martuar me drejtorin e burgut. Është krejtësisht jashtë çdo mundësie dhe
logjike që një drejtor burgu të marrë për grua një të burgosur shqiptare, e cila
i kishte vrarë edhe gardianin dhe kishte dëmtuar edhe personelin e burgut në
aspektin moral, meqë dhuna që kishte ushtruar kundër saj gardiani binte ndesh
edhe me vetë rregulloren e institucionit dhe i kishte qitur hije të zezë jo
vetëm burgut.
Këtu qëndron thelbësorja e
këtij akti të kësaj heroine shqiptare, e cila iu kishte kundërvënë ligjit të
dhunës dhe përdhunimit nga pushtuesi serb.
Veprimet e saj na bëjnë të
kuptojmë se kemi të bëjmë me një femër të edukuar në rrethana shumë të rënda të
jetës. Ajo kishte përjetuar shumë tragjedi në jetë. I kishin vdekur prindërit
dhe së bashku me vëllezërit bonjakë ishte rritur me troha buke, në skamje e
varfëri. Në kohën kur vëllezërit ishin
burrëruar, ia kishin vrarë. E kishte tradhtuar burri, por edhe daja. Krejt këto
fatkeqësi e kishin kalitur në jetë dhe ajo kishte marrë qëndrim për hakmarrje,
meqë familja edhe ashtu kishte pësuar, ashtu sikur kanë pësuar me mijëra
familje të varfra shqiptare të kohës së regjimit gjakatar serb.
Edhe pse kishte humbur
prindërit në moshë të re, pastaj vëllezërit, edhe pse ishte dënuar me burg të
rëndë, nuk ishte dorëzuar as kishte pranuar pozitën e robëreshës. Ajo, gjatë
kohës sa ishte në vuajtje të dënimit
ishte sfiduar edhe në nderin e saj, të cilin e kishte ruajtur me
fanatizëm, duke u kthyer kështu në një heroinë të heshtur, në një shembull
tipik të botës së pastër shqiptare, të botës të vegjëlisë së nëpërkëmbur, e
cila kurrë nuk ishte dorëzuar edhe pse ishte dëmtuar gjithnjë nga pushtuesit
dhe shërbëtorët e tyre.
Vepra e Hasime Mirashit
është e denjë për tërë kombin.
Ajo ka mbetur në kujtesë
ashtu si Harie Garria dhe Maroja e Tërbaqit.
Veprën e saj duhet ta
gjykojmë jo me këndvështrimin e sotme të
marrëdhënieve shoqërore, por me rrethanat që kanë mbretëruar në vendin tonë në
kohën e okupimit gjakatar serb, i cili kishte vrarë qindra mijëra shqiptarë dhe
po aq i kishte shpërngulur detyrimisht për në Turqi.
Emri i Hasime Mirashit
është meritor dhe është ne nderin e institucioneve tona që këtë emër ta
përjetësojnë, jo vetëm për veprën e saj brilante, por edhe për faktin se
regjimi kriminal serb i ka humbur çdo
gjurmë. Është për çdo lëvdatë puna që ka bërë dr. Mark Krasniqi në ndriçimin e
biografisë së saj, por janë për çdo kritikë institucionet e ish Krahinës
Autonome të Kosovës, të cilat nuk patën as edhe ide për ta zbardhur fatin e
kësaj heroine shqiptare, të cilën populli nuk e harroi kurrë. Kënga për Hasime
Mirashin këndohet në Kosovë, në Drenicë, në Dukagjin në Kumanovë e Tetovë por
edhe në Shkodër e në Tiranë.
Kënga e Hasimes, (variant, Augustin Ukaj )
Çke Hasime, qi kanë ti
Jam tuj kajtë, e mjera, për
dy vllazni,
Kanë lanë nanën me duer në
gji,
Motra shkretë me lotë për
sy,
-Unë, djalë nanës, nuk po
di,
-Që m’ çet pushkë për
vllaznitë e mi,
-I koftë dhanë toka me
tapi,
-Edhe ara me mulli,
-Un’ u bafsha niqah i tij,
Lile Begraci paska nie,
Ai Lila në kamë asht çue,
Te daja i Hases paska
shkue,
Edhe dajës i ka kallxue,
-Disa fjalë i kam nigjue,
-Ke nji mbesë me ma dhanë
mue,
-E per vllazën t’saj kam me
luftue,
Ja dha besën janë besatue,
Daja i Hases në kambë ashtu
que
-Hajde, hajde tash me mue,
Te Hasimja paska shkue,
-Hajde mbese i ka ka
kallzue,
-Lil Begraca ta ka lype për
grue,
-Po don daja me t’ martue,
-Në daç për vllaznit me
luftue,
-N dash vendin me ta
kallxue,
-Te Lilë Begraca ki me
shkue,
Fort e shkreta koka gzue,
-Ndal bre daje i paksa
thene,
-A ki besë, a don me m
zanë,
-Atij besën ja kam dhane,
-Qi me qet pushke e qi
lufton.
-Pritem pak daje i ka
thane.
-Nji shami tesha du me
marrë.
Përmbas dajës ju ka vnue,
Fill te Lila n konak jane
shkue,
Te Lila brenda paskan
shkue,
Edhe Lilës i ka thanë:
Shtrije besn qi ke dhanë,
Mbesen teme per hajr ta
baj,
Ti e din Liles i ka thane,
Ngryka -ngrykas kokan
marrë,
Edhe daja ne shpi ka shkue.
Kqyre Lila çka ka marue,
Rafsh dy vjet paskan kalue,
Me çitë pushke krejt e pat
harrue,
Niske gjaqet me i pajtue,
Nje dite ne kambë ai asht
que,
Merr do pleq per me pajtue,
Edhe ne odë i ka bashkue,
Kjo Hasimja i ka hetue,
Punte e shpisë ish tuj
punue,
Merr kusinë në kullë ka
shkue,
Me ujë valë për me përvëlue
Veshin deres ja ka vnue,
Nijke burrat tuj kuvenue,
Dojshin gjaqet me i pajtue,
Fort e shkreta koka
ngushtue,
Shkelem deres i ka paska
mshue,
Edhe Liles ju ka ngërmua:
-Mos lashte Zoti pa t’
marrue,
A di besen qi me ke dhane
mue,
A di besen qi m ke dhanë,
Ti me dajen ki dy fjalë,
Bese të fort ti na ke
dhanë.
Ti dhe ftyren na ke marrë.
Disa kohë po kalojnë.
Shkunë do muj e shkunë dy
vjet,
Pushka Lilës nuk po kercet,
Ban Hasimja shka dojke vet,
Vet po shkon ajo ne qeler,
I ka veshe nje pale tirqi
t’ zi,
Ne shokë ma shtijke nji
allti,
Ne kry pe vnon nj plis te
ri,
E përjashta ja paska msye
E te hasmi koka shkue.
Thrret me za koka dale nje
grue
Nje za tjetër po ia lëshon,
Shpejt e shpejt koka dale
një hallë,
-Ku janë burrat mori halle?
-Permas gardhi jane tuj vdu
nje talle
E hasimja shka po ban,
Fill asht nisë ne lamë po
shkon,
-Puna mbarë po ja ban,
-Pune mbarë mor Xhemë
Delija,
Xhemë Sadrija del tue keshe
-Te mbare paç mor djalë i
ri,
Nxur ja dhajka qat kuti,
Me dorë të majte ma merrke kutinë
Me dorë të djathte ja dhezë
alltinë.
Ne vend ma vrau Xhemë
Sadrinë
E vrau Xhemen me gjithë
djalë.
Pak mandej kishte lanë nje
fjale
-Ruhi bir u plaçin syte
-Ka dalë halla n oborr tuj
brite,
-Ruhi djem se koka çikë,
-Po don fare me çite,
N’ kapixhik fluturim ka
dale,
Ka marrë rrugën koka dalë,
Xhadarmëria ma kanë zanë,
N milici n’ stranicë po e qojnë
Edhe t’ shkreten po e
qortojne
-Pse Hasime ket nam ke
bamun,
-Per vllazen t mi u paska
thanun,
-Une gjakun e kam marrë,
-Nuk pat kush dorzan me
dale.
20 vjet burg pe denojnë
E ne burg Hasimen pe qojnë
Edhe n Nish e paskan çue.
Disa ditë paskan kalue,
I ka ardhe rendi per uje me
shkue
I ka marrë knatat ka
tfillue,
Nji xhandar mbrapa ju ka
nue.
Shtini doren me shnjerëzue,
Fort e shkreta koka
ngushtue,
Me knatë të re në kokë ja
ka mshue,
Deken n toke e ka lane
palue,
E Hasimja asht tfillue,
Te komandiri koka shkue,
-Pse at qen mrapa ma ke
que,
-Deshti qeni me m’
shnjerëzue
-Shtrini dorën me m’
çnderu,
-Me ni knate ja kam mshue,
-Dekun në toke e kam lan
palue.
Ahmet Qeriqi
Marre nga http://radiokosovaelire.com
Kommentare
Kommentar veröffentlichen