ASTRIT BYTYÇI

Shumica e nejrëzve jetojnë për të vdekur. Të pakët janë ata që vdesin për të jetuar.
E kam njohur mirë këtë djalë. Që nga femijëria. Pothuajse e takoja çdo ditë. Jetonim në një lagje. E shikoja si rritej. Shpesh qëndronte në kopshtin para shtepisë ose në trotuar. Asnjëherë nuk ishte duarbosh. Përherë në dorë mbante ndonjë libër ose topin e basketbollit. Edhe pse  vazhdimisht ishte i zënë me diçka,  s’mund të kaloja pa më përshendetur. Më buzëqeshte ëmbëlsisht. Ia vështoja shikimin e mprehtë dhe shkëlqimin e syve. Vazhdimisht ishte në lëvizje. Këmbëshpejt e hap lehtë, thuajse nuk shkelte në tokë. I pastër, i rregullt, elegant….Shumëçka fisnkie kishte mbrenda tij. Nxënës e student i shkelqyeshëm. Shumë i talentuar dhe shumë ambicioz. Donte çdo gjë të bukur: edhe muzikën edhe letërsinë edhe sportin.

Në shikim të parë dukej i brishtë e skofiar, por mbrenda ishte tejet dinamik dhe shpërthyes.

Jeta ishte e pa mëshirshme edhe për të. Shkollimin e filloi pas 1981, kur haptas shqiptarët artikuluan kërkesat e ligjshme për liri e pavarësi. Gjendja vazhdimisht keqësohej. Që në moshën e njom, Astriti u dashtë të përballej edhe me dhembjen më të madhe të mundshme. Mbeti pa nënë. Të gjitha dhembjet, të gjitha vështirësitë, mundohej ti përballonte me aktivitete. Lexonte shumë. Dëgjonte muzikë, shkruante poezi, luante basketboll…

Vitet e nëntëdhjeta ishin tejet të rënda, sidomos për të rinjtë. Kishte shumë rreziqe, pasiguri, pa përspektivë. Shumë të rinjë, për t’iu shmangur problemeve, ia mësynë gurbetit.

Astriti kishte në mendje diçka tjetër. Ai nuk zgjodhi t’u shmangej problemeve. Ai parapëlqeu të kyqet në zgjidhjen e problemeve.

E takoja gjithnjë e më rrallë atë dhe djem të tjerë që i njihja. E mora vesh se iu kishin bashkuar radhëve të UÇK-së: Astriti, Luani, Paja, Kemajli, Blerimi, Luani tjetër…e shumë të tjerë. Bishat nga Karpatet ia kishin trembur muzat, por ia kishin sforcuar motivin më sublimë: atdhedashurinë.

Astriti bashkë me dëshmorët dhe trimat tjerë të lirisë, iu përgjigjen thirrjës së atdheut, thirrjës së lirisë…

Astriti edhe përpara kishte shumë shokë e miq,  por jo sa sot – tash. Ai sot qëndron para shkollës sonë. Shikimi i tij, thua se është drejtuar kah vendlindja e tij e amshuemshme, vendi kur a dëshmor në altarin e lirisë.

Sot është i rrethuar me shumë fëmijë, miq të tij, që hareshëm lozin rreth tij dhe me dashuri e shikojnë, e prekin, i dëgjojnë porositë e tij. Sikur thonë: „Tash në duar nuk kam libra, as topin e basketbollit, as disçe muzikore… ua lash juve. Lexoni edhe për mua. Lexoni shumë. Luani dhe argëtohuni, jetoni të lumtur në liri… Nuk  kam as armë. Dhashtë zoti të mos keni nevojë për to! Por, jam i bindur se, nëse paraqitet nevoja, do ti gjeni, se do t’i dilni në ndihmë atdheut“.

Astriti e din se përgjigja e fëmijëve është :“Betohemi“!

Asnjëherë Astriti nuk ka pasur më shumë musafirë se sot në ditëlindjen e tij të 35. Do të ketë edhe në ditëlendjet tjera. Do të ketë, sepse miqtë e tij do të dijnë ta respektojnë madhështinë e veprës së tij.

Dhe, krenaria përherë do të jetë më e fuqishme se dhembja.

Dëshmorët nuk jetojnë për të vdekur. Vdesin për të jetuar amshueshëm.

I till ishte Astriti ynë.

Lavdi!
Nuhi Kamberi

Kommentare